23:28 – Zelensky me mesazh të rëndë për ukrainasit: Na pret nata më e keqe
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka dalë me një mesazh të hidhur për qytetarët e tij.
Të premten në mbrëmje ai ka thënë se kjo do të jetë nata më e rëndë për ukrainasit.
“Kjo do të jetë nata më e rëndë. Armiku do të hyjë për gjithçka. Ne duhet ta mbahemi. Nata do të jetë shumë e rëndë, por lindja e diellit do të vijë. Nata do të jetë edhe më e rëndë se dita. Shumë qytete të shtetit tonë janë nën sulm: Chernihiv, Sumy, Kharkiv, djemtë e vajzat tona në Donbas, qytetet e lindjes, e vëmendje e veçantë në Kiev”, ka thënë ai. “Ne nuk mund ta humbim kryeqytetin”.
23:15 – Rusia thotë se e ka marrë nën kontroll qytetin e Melitopolit
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë se trupat ushtarake ruse kanë hyrë në qytetin e Melitopolit në Ukrainë pa rezistencë.
Lajmi s’është konfirmuar nga mediumat prestigjioze, por presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë më herët se ka luftime të ashpra në qytet.
Melitopoli është qytet me 150 mijë banorë. Gjendet afër Krimesë në juglindje të Ukrainës.
22:56 – SHBA-ja konfirmon “ndihmat shtesë” për Ukrainën
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ofrojnë “ndihma shtesë për sigurinë” e Ukrainës, por se si do të bëhet kjo “ende po punohet”, ka thënë të premten në mbrëmje, zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.
“Jemi tejet të angazhuar në këto përpjekje, për t’iu ndihmuar të mbrohen më mirë”, ka thënë Kirby në konferencën për media.
Ai ka shtuar se s’ka detaje për çdo dërgesë që i është bërë Ukrainës nga SHBA-ja deri tash.
22:28 – Ukraina dhe Rusia po diskutojnë vendin dhe kohën për bisedime
Një zëdhënës i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se Ukraina dhe Rusia po diskutojnë vendin dhe kohën për bisedime me Rusinë.
Zëdhënësi shtoi gjithashtu se Ukraina është e gatshme të flasë për paqen dhe një armëpushim të mundshëm.
Kremlini tha sot se presidenti Vladimir Putin ishte gati të dërgonte një delegacion në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk, për bisedime me Ukrainën, pasi forcat ruse iu afruan Kievit në ditën e dytë të pushtimit nga Moska.
Sonte, Zelensky është ende në Kiev dhe ka dalë në rrugë për t’u solidarizuar me qytetarët.
SHBA-ja ka qenë skeptike për bisedime të mundshme.
22:19 – Bullgaria mbyll hapësirën ajrore për aeroplanët rusë
22:13 – Rusia: Marrëdhëniet me SHBA-në dhe Perëndimin po arrijnë pikën pa kthim
Ministria e Jashtme e Rusisë thotë se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimin po arrijnë pikën “pa kthim”.
“Ne kemi arritur në vijën pas së cilës fillon pika pa kthim”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova në televizionin rus.
Reagimet e Rusisë vijnë pas sanksioneve të Perëndimit dhe SHBA-së kundrejtë presidentit rus Vladimir Putin dhe ministrit të Jashtëm, Sergey Lavrov.
22:03 – Bideni sanksion direkt Putinit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do të sanksionojë drejtpërdrejt presidentin rus, Vladimir Putin, dhe zyrtarët tjerë rusë për ndërhyrjen në Ukrainë, ka konfirmuar Shtëpia e Bardhë.
Vendimi i Bidenit për sanksione personale Putinit vjen pas njoftimit të Bashkimit Evropian që Putinit dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, do t’u ngrihen pasuritë.
21:57 – 92 punonjës të Chernobylit mbahen peng nga forcat ruse
21:54 – Moska thotë se sanksionet kundër Putinit dhe Lavrovit janë shenjë e ‘impotencës’ perëndimore
21:53 – Britania ndalon fluturimin e avionëve privat rusë në hapësirën ajrore të saj
21:51 – SHBA: Rusia do të kërcënojë me vrasje familjarët e ushtarëve ukrainas nëse nuk dorëzohen
21:48 – Hakerët sulmojnë Ministrinë e Mbrojtjes në Rusi
Grupi i njohur i hakerëve, “Anonymous” ka njoftuar në Twitter se e ka hakuar databazën e uebfaqes së Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë dhe se ato i ka publikuar.
Në shkrimin e njëjtë, grupi ka publikuar fotografi të të dhënave. Madje ka publikuar edhe një vegëz me të dhënat private.
JUST IN: Hacktivist group #Anonymous has successfully breached and leaked the database of the Russian Ministry of Defence website | mil[.]ru |.
You can download all private data of the Russian MOD here: https://t.co/CsOVhkvCAD pic.twitter.com/ueoG7xJgLV
— Anonymous TV 🌐 (@YourAnonTV) February 25, 2022
21:32 – Kryeministrja suedeze i përgjigjet Rusisë: Vendosim vetë për politikat e sigurisë
21:14 – SHBA: Oferta e Putinit për bisedime, jo diplomaci reale
Departamenti Amerikan i Shtetit e ka hedhur poshtë ofertën e presidentit rus Vladimir Putin për bisedime me Ukrainën si “diplomaci jo reale”.
Duke folur me gazetarët në Uashington të premten, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se diplomacia nuk mund të zhvillohet “në tytën e armës”.
“Që të zhvillohet diplomacia, veprimi ushtarak rus në Ukrainë duhet të ndalet dhe forcat ruse duhet të tërhiqen”, tha ai.
“Deri më tani, SHBA-ja nuk kishte parë asnjë tregues se Putini ishte i gatshëm të lejonte suksesin e diplomacisë”, shtoi ai.
Më herët të premten, Kremlini tha se Putini ishte “gati” për bisedime të nivelit të lartë me një delegacion ukrainas në Bjellorusi rreth “neutralitetit” dhe “çmilitarizimit” të vendit. Ukraina kërkoi që bisedimet të mbahen në Poloni. Megjithatë, që atëherë lidhjet janë shkëputur mes dy vende dhe vendimi ka qëndruar në pritje.
20:33 – SHBA-ja planifikon ta sanksionojë Putinin që sot
Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të vendosin sanksione ndaj presidentit rus Vladimir Putin që të premten, sipas dy burimeve të njohura me vendimin për CNN.
Udhëheqësi rus do të bëhet objektiv i profilit më të lartë në përpjekjet për të imponuar kosto mbi ekonominë ruse dhe rrethin e brendshëm të Putinit në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës.
Ka të ngjarë të përfshihen zyrtarë të tjerë rusë, tha një nga burimet.
Veprimi i SHBA-së pason sanksionet e Bashkimit Evropian për Putinin dhe ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov për ngrirje të aseteve.
20:20 – Klitschko: Nata do të jetë shumë e vështirë
20:13 – Ndihma e parë ushtarake e pranuar publikisht arrin në Ukrainë që nga pushtimi
Polonia ka dërguar një autokolonë me municion në Ukrainë, sipas ministrit të Mbrojtjes të vendit Mariusz Błaszczak, duke e bërë atë dërgesën e parë të pranuar publikisht të ndihmës ushtarake në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus.
“Një kolonë municionesh që po i dhurojmë Ukrainës ka mbërritur tashmë te fqinjët tanë. Ne qëndrojmë pranë ukrainasve dhe tregojmë solidaritet kundër agresionit rus”, shkroi ai në një postim në Twitter.
Postimi nuk përshkruante as llojin e municionit që Polonia u dërgoi ukrainasve dhe as sasinë.
20:04 – Pushtimi rus nuk po shkon sipas planit
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia nuk po shkon sipas planit, ka raportuar BBC të premten në mbrëmje. Megjithatë, s’mund të thuhet se punët më mirë i ka Ukraina.
Forcat ruse i tejkalojnë në numër në çdo fushë ato të Ukrainës. Plani i pushtimit të Vladimir Putinit përfshin kryerjen e sulmeve në tri drejtime, neutralizim të rezistencës dhe më pas eliminimin e pushtetit dhe instalimin e një të reje me orientim prorus.
Megjithatë, siç shkruan BBC, rezistenca ukrainase po u shkakton viktima pushtuesve. Deri tash kanë vdekur mbi 450 rusë, sipas inteligjencës britanike.
“Po shohim fillimin e një rezistence civile me Qeverinë që po u jep mijëra armë banorëve të Kievit”, ka shkruar BBC të premten.
20:01 – Të shtëna me armë zjarri dhe artileri dëgjohen në Kiev
Shpërthime të tjera janë dëgjuar në kryeqytetin ukrainas, Kiev.
Agjencia e lajmeve Reuters thotë se janë dëgjuar shpërthime të shkaktuara nga predha artilerie, së bashku me të shtëna intensive me armë zjarri në rrethet perëndimore të kryeqytetit.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka thënë se u dëgjuan pesë shpërthime për pesë minuta.
19:59 – Polonia dhe Çekia mbyllin hapësirën ajrore për linjat ruse
19:40 – BE-ja sanksionon Putinin dhe Lavrovin
19:30 – Për herë të parë ndonjëherë, aktivizohet Forca e Reagimit të NATO-s
19:17 – SHBA-ja i ofron ndihmë për mbrojtje Ukrainës
19:03 – Efektet e para financiare ndihen në Rusi, qytetarët duan të tërheqin më shumë para
18:47 – Kremlini jep më shumë detaje mbi propozimin për takim me Ukrainën
18:36 – NATO dërgon më shumë trupa në Evropën Lindore
18:10 – Raportohet për shpërthime në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës
Videot në rrjetet sociale tregojnë për shpërthime të mëdha në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv.
харьков, индустриальная. полыхает адово. pic.twitter.com/FSokAefycC
— Ro🇺🇦 (@agressivnayaa) February 25, 2022
17:47 – Populli rus nuk do luftë
17:28 – Rusia paralajmëron: Do të ketë pasoja të dëmshme nëse Suedia e Finlanda anëtarësohen në NATO
17:21 – Eurovisioni përjashton Rusinë
17:12 – SHBA: Rusia ka humbur vrullin
Një zyrtar amerikan i mbrojtjes ka thënë se forcat ruse kanë humbur vrullin në pushtimin e tyre në Ukrainë.
Sipas Reuters, zyrtari tha se asnjë qendër popullsie ukrainase nuk është marrë deri më tani, por disa raketa ruse kanë prekur zonat e banuara.
Ata shtuan se ka gjithashtu indikacione për sulme kibernetike kundër hidrocentralit Kakhovka në jug të Ukrainës.
Rusia po has në rezistencë më të madhe seç pritej në Kiev, vijon deklarimi i tyre.
Një “sulm amfib” është duke u zhvilluar në Detin Azov, që ndodhet në perëndim të Mariupol në Ukrainë, u tha gazetarëve të premten ky zyrtar.
17:00 – Këshilli i Evropës suspendon Rusinë
Këshilli i Evropës ka suspenduar anëtaren e vet Rusinë pas pushtimit të Ukrainës, raporton AFP.
Rusia ishte anëtare e organit 47-vendesh për të drejtat e njeriut që nga viti 1996. U përjashtua nga asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës për aneksimin e Krimesë më 2014, por u kthye më 2019 me të drejta të plota.
16:44 – Çfarë është Swift dhe pse liderët janë të ndarë për përjashtimin e Rusisë nga kjo?
Çfarë është Swift?
Kush zotëron dhe kontrollon Swift?
Si do të ndikonte përjashtimi i Rusisë nga Swift?
Pse Perëndimi është i ndarë për Swift?
16:29 – Ukraina po ruan kontrollin e qyteteve kryesore, sipas inteligjencës britanike
Rusia ka bërë “përparim të kufizuar” në sulmin e saj ndaj Ukrainës të premten, sipas përditësimit të fundit të inteligjencës britanike të mbrojtjes.
“Luftërat vazhdojnë në lokacione kyçe. Rusia ka bërë përparim të kufizuar deri më tani sot dhe Ukraina ruan kontrollin e qyteteve kyçe. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës raporton se forcat ruse kanë mbërritur në periferi të Kievit”, shkroi të premten Ministria e Mbrojtjes e Britanisë në Twitter.
“Sulmet ruse dhe shkëmbimi i zjarrit të artilerisë vazhduan gjatë gjithë natës dhe deri në mëngjes”, thotë inteligjenca britanike.
16:08 – Putini i bën thirrje ushtrisë ukrainase ta rrëzojë udhëheqjen në Kiev
15:50 – Franca do t’i sigurojë pajisje mbrojtëse Ukrainës
Franca do t’i ofrojë pajisje mbrojtëse Ukrainës, ka thënë presidenti francez, Emmanuel Macron. Nuk u dhanë detaje për mediat se çfarë pajisje do të jenë.
Macroni shkroi se Franca do t’i ofrojë Ukrainës një ndihmë buxhetore prej 300 milionë eurosh dhe material mbrojtës, raporton CNN.
Franca më herët nuk ka ofruar armë për Ukrainën por ndihma humanitare dhe buxhetore.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski ka apeluar qytetarët të marrin armët kundër trupave ruse.
14:58 – Ushtria ukrainase: Mos i besoni agresorit, po sulmojnë kopshte të fëmijëve
Ushtria e Ukrainës ka thënë se nuk është e vërtetë që Rusia po godet vetëm ushtarët. Në një shkrim është thënë se Rusia po sulmon edhe civilët.
Kanë publikuar edhe një fotografi, që sipas tyre rusët kanë sulmuar një zonë banimi, strehimore dhe kopsht fëmijësh.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, i quajti këto sulme krime lufte dhe shkelje të Statutit të Romës. Ai tha se dëshmitë e tyre do t’i dërgojnë në Hagë.
14:42 – Ukraina ka vrarë më shumë se 1,000 ushtarë rusë
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka deklaruar se deri më tani, nga luftimet në Ukrainë, janë vrarë më shumë se 1,000 trupa ruse.
Ndërkohë, ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey, u ka thënë deputetëve ukrainas se deri tani janë vrarë të paktën 194 ukrainas, në mesin e tyre 57 civilë.
Rusia ka deklaruar se kishte eliminuar 200 forca ukrainase, gjatë kapjes së aeroportit kyç Hostomel, pranë Kiveit.
14:15 – Rusia e gatshme për t’u ulur në tavolinë me Ukrainën
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Rusia është e gatshme për bisedime me Ukrainën në Minsk, kryeqyteti bjellorus, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti.
Por, ai ka thënë se kjo duhet të jetë për Ukrainën që shpall “statusin neutral” – që do të përfshinte “çmilitarizimin”. Rusia ka dashur gjithnjë që t’ia heqë përgjithnjë mundësinë Ukrainës për NATO.
Presidenti ukrainas ka thirrur për bisedime presidentin rus, por nuk ka shenja që ky i fundit do të pajtohet të flasë.
Minsku është i rëndësishëm sepse është vendi ku marrëveshjet u nënshkruan në përpjekjen për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainën lindore më 2014.
Duke pushtuar Ukrainën, lideri rus ka shkelur ato marrëveshje.
Më herët, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka thënë se nuk mund të mbahen bisedime derisa ushtria e Ukrainës të ulë armët.
14:00 – 57 civilë mes 194 ukrainasve të vrarë nga pushtimin rus
Ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey, u ka thënë deputetëve në dhomën e ulët të Parlamentit se 450 ushtarë rusë dhe 194 ukrainas, përfshirë 57 civilë, janë vrarë që nga fillimi i pushtimit të Vladimir Putinit, të enjten.
Ky është një numër më i lartë i vdekjeve civile sesa raportet e 25 viktimave të cituara nga këshilli i të drejtave të OKB-së, të premten.
Heappey ka thënë gjithashtu se trupa të tjera të Mbretërisë së Bashkuar po dërgoheshin në Estoni, aleatin e NATO-s, më herët se sa ishte planifikuar, dhe gjithsej 1,000 trupa janë në gatishmëri për të ndihmuar vendet fqinje të Ukrainës të trajtojnë refugjatët që ikin nga vendi.
13: 45 – Zelensky: Jam targeti i parë i Rusisë
Presidenti ukrainas, Volodmyr Zelensky ka folur nga zyra e tij në Kiev aty ku po qëndron pavarësisht avancimit të rusëve në qytet.
Ai u bëri thirrje liderëve evropianë që të bëjnë më shumë për ta ndaluar agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe ftoi presidentin rus Vladimir Putin që të negociojnë për ta ndaluar luftën, raporton BBC.
Zelensky u tha ukrainasve se frikësohet se ai ishte “targeti numër një” i hakmarrjes ruse.
“Ata duan ta dëmtojnë Ukrainën politikisht duke shkatërruar kreun e shtetit”, tha ai.
13:50 – Raportohet se forcat ruse kanë marrë kontrollin e aeroportit afër Kievit
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka thënë se forcat e saj kanë marrë kontrollin e aeroportit kryesor Hostomel afër Kievit, raportoi agjencia ruse e lajmeve Interfax.
Ka thënë se 200 helikopterët rusë dhe forca tokësore ishin pjesë e marrjes nën kontroll.
Shtoi se Kievi është i “bllokuar nga Perëndimi”.
13:14 – Ukraina e gatshme të bisedojë për statusin neutral, për Rusinë “zhvillim pozitiv”
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje presidentit rus që të hyjnë në negociata dy shtetet. “Të ulemi në tavolinë për të ndalur vrasjet e njerëzve”.
Ukraina dëshiron paqe dhe është e gatshme për bisedime me Rusinë, duke përfshirë statusin neutral në lidhje me NATO-n, ka thënë të premten për Reuters këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak.
“Nëse bisedimet janë të mundshme, ato duhet të zhvillohen. Nëse në Moskë ata thonë se duan të mbajnë bisedime, duke përfshirë statusin neutral, ne nuk kemi frikë nga kjo”, tha ai. “Ne mund të flasim edhe për këtë”.
“Gatishmëria jonë për dialog është pjesë e kërkimit tonë të vazhdueshëm për paqe”.
Kurse, zëdhënësi i Kremlinit vuri në dukje të premten gatishmërinë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy për të diskutuar një premtim të mundshëm neutraliteti nga Ukraina, por tha se nuk mund të thoshte asgjë për bisedimet e mundshme midis liderëve të dy vendeve.
“Kjo është një deklaratë e re. Ne e kemi marrë parasysh atë. Duket si një zhvillim pozitiv”, tha ai, duke iu referuar komenteve të bëra nga Zelenskiy në orët e para të së enjtes.
Dmitry Peskov tha se nuk mund të komentojë nëse do të zhvillohen bisedime mes Putinit dhe Zelenskiy. Duke thënë se Moska do të analizojë ofertën e Zelenskiyt, shtoi se pritshmëritë e Moskës për Kievin mbeten të pandryshuara.
01:02 – Zelensky – liderëve evropianë: Si do ta mbroni veten kur jeni kaq të ngadalshëm me Ukrainën
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka folur direkt nga zyra e tij në Kiev. Me fytyrën që shihej i lodhur, ai ka akuzuar liderët evropianë se nuk kanë marrë masa të mjaftueshme për të ngadalësuar avancimin rus.
“Si për Luftën e Dytë Botërore, ju thatë kurrë më, por ja ku jemi sërish dhe ju nuk po bëni mjaftueshëm për t’u përgjigjur”, ka thënë ai.
Zelensky shtoi se nuk është vonë që të ndalet “agresioni” rus nëse liderët evropianë veprojnë shpejt dhe thërrasin qytetarët rreth Bashkimit Evropian që të protestojnë dhe t’i detyrojnë qeveritë e tyre në më shumë veprime”.
“Jam i sigurt se e shihni këtë – të gjithë ju, e gjithë Evropa. Por, nuk e shohim qartë se çfarë do të bëni ju për këtë, si do ta mbroni veten kur jeni kaq të ngadalshëm me Ukrainën”, tha ai.
12:44 – SHBA-ja ka frikë se Kievi mund të bjerë në duart e Rusisë brenda pak ditësh
Burimet kanë thënë se vlerësimi fillestar i SHBA-së para pushtimit i cili parashikonte se kryeqyteti ukrainas do të pushtohej brenda 1-4 ditë pas një sulmi rus, mbetet pritshmëria aktuale.
12:38 – Rreth 18 mijë armë u janë shpërndarë rezervistëve vetëm në Kiev
Rreth 18,000 armë me municion u janë shpërndarë rezervistëve vetëm në rajonin e Kievit, që nga fillimi i pushtimit rus të enjten herët, kanë bërë të ditur autoritetet ukrainase.
Në një deklaratë të përbashkët, ministri i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov dhe Valeriy Zaluzhniy, shefi i shtabit të Forcave të Armatosura, kanë thënë se do të shpërndahen më shumë armë.
“Së shpejti do të marrim mbështetje shtesë me armë moderne dhe burime të tjera nga partnerët tanë,” kanë thënë ata.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky urdhëroi të enjten një mobilizim të përgjithshëm ushtarak.
Për të garantuar mbrojtjen e shtetit, për të ruajtur gatishmërinë luftarake dhe mobilizuese të Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe formacioneve të tjera ushtarake, u urdhërua një mobilizim me bazë të gjerë, duke përfshirë Kievin, dhe në të gjitha vendet kryesore të Ukrainës.
Kjo përfshinte ndalimin e daljes nga vendi të të gjithë shtetasve meshkuj nga 18 deri në 60 vjeç, sipas Shërbimit Shtetëror të Rojës Kufitare.
Mobilizimi udhëzoi gjithashtu “rekrutimin e rekrutëve, rezervistëve për shërbimin ushtarak, dërgimin e tyre në njësitë ushtarake dhe institucionet e Forcave të Armatosura të Ukrainës” dhe shërbime të tjera të sigurisë shtetërore.
12:06 – Të paktën 25 civilë të vrarë nga sulmet ajrore në Ukrainë
Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka thënë se ka raporte se ka pasur të paktën 127 viktima civile në Ukrainë, me 25 të vrarë dhe 102 të plagosur, për shkak të “granatimeve dhe sulmeve ajrore” të Rusisë.
Më herët, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se më shumë se 130 ushtarë ukrainas janë vrarë nga sulmet e vazhdueshme ruse.
Ushtria ruse tashmë ka hyrë në Kiev, derisa Zelensky i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare për më shumë presion ndaj Rusisë.
11:32 – Ushtria ukrainase po rekruton edhe personat mbi 60 vjeç
Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës, në një postim në Twitter, kanë bërë thirrje për rekrutë civilë, pavarësisht moshës.
Deklarata e komandantit të trupave thoshte “Nuk ka kufizime në moshë” – duke treguar se mund të lejohen edhe të miturit.
Megjithatë, një deklaratë e re nga ministri i Mbrojtjes Alexey Reznikov, duket se sqaron se lehtësimi i kufizimeve të moshës i referohet personave mbi 60 vjeç. Ai nuk ka përmendur të miturit.
“Vendosa, në marrëveshje me Komandantin e Trupave të Forcave të Armatosura të Ukrainës, të përfshij në Trupat e Patriotëve ata]mbi 60 vjeç, të cilët janë moralisht dhe fizikisht të gatshëm për të rezistuar dhe mposhtur armikun”, ka shkruar Reznikov.
10:58 – Ukrainasve u kërkohet të sulmojnë me koktej molotovi
Ukrainasve po u bëhet thirrje që të sulmojnë me koktej molotovi.
Madje, Ministria e Brendshme ka publikuar udhëzime për shtetasit e saj se si bëhet kokteji.
Thirrja ishte bërë qysh para hyrjes së rusëve në kryeqytet, Kiev. Por, edhe pasi u futën trupat ruse, thirrja ka vazhduar.
Në Kiev qytetarët po lajmërohen përmes sirenave të alarmit që shkojnë nëpër streha.
Thirrjen e njëjtë e ka bërë edhe Ministria e Mbrojtjes.
“I thërrasim qytetarët që të na informojnë për lëvizjen e trupave, të bëjnë koktej molotovi dhe të neutralizojnë armikun”, thuhej në lajmërimin e ministrisë.
10:33 – Ukraina: Rusia bombardoi 33 zona të civilëve
Forcat ushtarake të Rusisë po shënjestrojnë dhjetëra zona civile, ka thënë një zyrtar i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës.
“Rusët thonë se nuk po sulmojnë objekte civile, por 33 zona civile janë goditur gjatë 24 orëve të fundit”, ka thënë Vadym Denysenko për reuters.
Rusët janë futur në Kiev pas avancimit nga veriu, lindja e jugu i Ukrainës që kur filloi pushtimi të enjten.
Ukrainasit u kanë bërë thirrje banorëve që të luftojnë me kokteje molotovi.
09:58 – Zelensky: Nuk janë shteruar të gjitha mundësitë për sanksione kundër Rusisë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka thënë presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, se nuk janë shteruar të gjitha mundësitë për sanksione ndaj Rusisë.
Zelensky ka deklaruar gjatë bisedës me Von der Leyen, se presioni ndaj Rusisë duhet të rritet.
“Jo të gjitha mundësitë për sanksione janë shteruar. Presioni ndaj Rusisë duhet të rritet. Ia thash këtë Von der Leyenit. I jam mirënjohës presidentes për vendimin e saj për ndihmë shtesë financiare”, ka shkruar Zelensky në Twitter.
09:33 – Ushtria ruse futet në Kiev
Operativët rusë janë tani në Kiev, kanë konfirmuar zyrtarët e Ukrainës në një postim në Twitter.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka thënë se “armiku” ishte në rrethin e Obolonit, rreth 9km në veri të parlamentit të Ukrainës.
Ministria ka inkurajuar vendasit të bëjnë kokteje molotov për të luftuar, ndërsa këshillojnë gjithashtu të tjerët të kërkojnë strehim.
“Banorë, të qetë- kini kujdes. Mos dilni nga shtëpia!”, ka kërkuar ministria ukrainase e Mbrojtjes.
09:28 – Ukrainasit “po vazhdojnë rezistencën” përballë rusëve, thirren banorët në Kiev të gjuajnë
Po raportohet për të shtëna armësh në kryeqytetin ukrainas, Kievin. Përveç armëve, është dëgjuar edhe një shpërthim i madh në orët e mëngjesit të së premtes mbi Kievin.
BBC-ja ka raportuar se shpërthimi ka ndodhur në lagjen Poznyaky të kryeqytetit.
Forcat ukrainase kanë hedhur në erë një urë për të penguar avancimin rus atje.
Ushtria ukrainase ka tyhënë se po ballafaqohet në luftime me rusët jashtë Kievit, ku një numër i madh i automjeteve të blinduara ruse janë. Në një postim, ushtria ka thënë se forcat “po vazhdojnë të rezistojnë”.
“The Kyiv Independent” ka raportuar se forcat ruse janë futur në distriktin Obolon të Kievit, ku ushtria ukrainase po lufton me ta. Ministria e Mbrojtjes u ka kërkuar banorëve që të mos ikin nga shtëpitë dhe të përgatisin koktej molotovi. Ky distrikt është rreth 10 km larg nga qendra e Kievit.
09:05 – Mbi 1,000 ukrainas mbërrijnë në Poloni
Më shumë se 1,000 ukrainas të cilët kanë ikur nga sulmi rus, kanë mbërritur me tren në qytetin polak Przemysl, kanë bërë të ditur autoritetet ukrainase.
Polonia ka hequr dorë nga kërkesa për të karantinuar ose paraqitur një test negativ COVID-19 për njerëzit që vijnë nga Ukraina.
Shumë prej tyre qëndruan gjatë natës në stacionin e trenit në shtretërit e kampit pasi hotelet janë rezervuar plotësisht.
Polonia ka ngritur nëntë pika pritjeje për ukrainasit që kalojnë kufirin, ku ata mund të marrin ushqim, ndihmë mjekësore dhe informacion.
Ndërkohë, agjencia shtetërore e lajmeve PAP po raporton se mijëra njerëz po mbërrijnë të premten në pikën kufitare Medyka me makina nga i gjithë vendi për të mbledhur njerëz dhe të afërm që po mbërrijnë nga Ukraina.
Polonia është shtëpia e një komuniteti të madh ukrainas. Numrat ndryshojnë, por besohet se në këtë shtet jetojnë 1-2 milionë ukrainas, megjithëse vetëm gjysmë milioni janë të regjistruar në shërbimet sociale polake.
08:45 – Ukraina hedh një urë në erë, pengon avancimin rus në Kiev
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës thotë se kanë hedhur në erë një urë për të penguar avancimin rus në Kiev
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka bërë të ditur se trupat e sulmit ajror kanë hedhur në erë një urë mbi lumin Teteriv në Ivankiv, që ndodhet rreth 50 kilometra në veri të Kievit, në një përpjekje për të parandaluar një kolonë ruse të forcave të përparojë drejt kryeqytetit.
Ministria tha se përparimi rus u ndal.
Më herët në mëngjes të së premtes, zyrtarët e lartë amerikanë vlerësuan se forcat ruse që hynë në Ukrainë përmes kufirit me Bjellorusinë ishin vetëm rreth 32 kilometra nga kryeqytetit ukrainas.
08:14 – Sot Rusia mund ta sulmojë Kievin
Ukraina pret që Rusia ta sulmojë Kievin gjatë të premtes, ditë e cila mund të jetë më e vështira në luftë, ka thënë një këshilltar në Ministrinë e Brendshme të Ukrainës.
Anton Herashchenko ka thënë se mbrojtësit e Kievit janë të gatshëm me raketa të furnizuara nga aleatët e huaj, raporton Guardian.
Zëvendësministri i Mbrojtjes u pajtua me këtë deklaratë se forcat ruse mund të futen në zonat përreth Kievit sot.
Ai shtoi se forcat ukrainase po mbrojnë pozicionet e tyre në katër fronte pavarësisht se janë pak në numër.
80:09 – Zelensky: Rusia herët a vonë do të detyrohet të flasë me ne
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se herët a vonë, Rusia do të duhet të flasë me Ukrainën për përfundimin e operacionit ushtarak.
Sipas tij, sa më parë të fillojë dialogu në këtë drejtim, aq më të pakta do të jenë humbjet e Rusisë.
Në kohën kur forcat ruse po i afrohen kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, Zelensky, në një adresim për popullatën ka thënë se raketat ruse janë të pafuqishme kundër lirisë së tyre.
“Ne jemi në tokën tonë, ne kemi të vërtetën, ata nuk mund të shkatërrojnë karakterin tonë. Raketat ruse ‘Kalibr’ janë të pafuqishme kundër lirisë sonë”.
Zelensky gjithashtu ka përshëndetur protestat në Rusi kundër pushtimit.
07:40 – Më shumë se 130 ushtarë ukrainas janë vrarë deri tani
Forcat ruse i janë afruar edhe kryeqytetit ukrainas, Kiev.
Reporterët e CNN-it në Kiev dëgjuan shpërthime në qytet herët në mëngjes të premten. Kjo erdhi pasi administrata Biden u tha ligjvënësve amerikanë se forcat ruse që hynë në Ukrainë përmes kufirit Bjellorusi janë vetëm 32 kilometra nga Kievi.
Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se deri më tani janë vrarë 137 e janë plagosur 316 ushtarë ukrainas.
Në anën tjetër, Ukraina ka shkaktuar 800 viktima në mesin e forcave ruse.
07:24 – Zelensky: Po e mbrojmë të vetëm shtetin tonë, forcat botërore po shikojnë nga larg
Ai ka thënë se Ukraina po e mbron e vetme shtetin e saj.
“Këtë mëngjes ne po mbrojmë shtetin tonë të vetëm. Si dje, forcat më të fuqishme në botë po shikojnë nga larg”, ka thënë Zelensky në fjalimin e tij drejtuar kombit këtë mëngjes.
Ndërkohë, së fundmi është raportuar për shpërthime të fuqishme edhe në Kiev
07:15 – Një aeroplan rus thuhet të jetë përplasur në një bllok apartamentesh në Kiev, shkruan BBC.
Një zyrtar i ministrisë së Brendshme ukrainase ka thënë se një avion ishte rrëzuar në lagjen Darnytskyi të Kievit.
Ndërkohë raportet lokale thonë se një ndërtesë banimi nëntëkatëshe është djegur në Kiev.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, ka postuar në Twitter duke thënë se të paktën tre persona u plagosën, njëri prej të cilëve ishte në gjendje kritike, “si rezultat i një fragmentimi rakete”. Ai ka shtuar se ndërtesa ishte në flakë dhe se ishte nën “kërcënim shkatërrimi”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.