Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar ashpër kryeministrin dhe vartësit e tij, të cilët i ka quajtur ‘Qeveri e paditur’, raporton Gazeta Sinjali.
Kritika të theksuara Abdixhiku pati për ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, për të cilin tha se ai duhet t’i marrë letrat që sot dhe të shkojë në shtëpi.
Kreu i LDK-së tha se ka kohë që nuk e kupton Qeverinë se si i marrin vendimet.
Ai ka thënë se sot ka parë dy raste në Kuvend të ministrave, për të cilët thotë se ndaj njërës kryeministri Albin Kurti shprehu mosbesim, kurse tjetri që ra në kundërshtim me realitetin.
“Sot i pashë dy raste. E para ministrja tha se çmimi i peletit po shitet me 500 euro fitim e kryeministri e rrotullonte kokën në shenjë mosbesimi. E dyta doli ministri i Financave, paramendojeni ministër i Financave, tha një produkt që vjen në kufi me 1 euro e 20 cent dhe shitet 2.20 në start i ka fitim 1 euro. Këtij ministri duhet t’ia japësh dokumentet edhe ta çosh në shtëpi. Një shtëpi e pa ditur”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se ky ligj do të bjerë kushdo që merr mundin ta qojë në Kushtetuese.
“Me këtë ligj sa për llogaritje do t’i dëmtoni mijëra dyqane të vogla nëpër fshatra që 90 për qind të produkteve i kanë bazike. Ata keni me i marrë në qafë. Kemi praktikantë në Qeveri ky është problemi i Kosovës”, ka thënë ai.