Shtëpia e Bardhë sapo ka shpalosur informata mbi bisedën që presidenti Joe Biden ka realizuar sot me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Në një deklaratë për shtyp, Shtëpia e Bardhë tha se Biden ia bëri të ditur Zelenskyt përgjigjen e ShBA-së ndaj vendimit të Rusisë për njohjen e pavarësisë së dy rajoneve të shkëputura të Ukrainës: Donetskun dhe Luhanskun.
Biden e njoftoi homologun e tij ukrainas për planet e ShBA-së, “përfshirë planin tonë për vendosjen e sanksioneve”.
“Presidenti Biden përsëriti se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen me shpejtësi dhe vendosmëri, për të larguar agresionin rus kundër Ukrainës”, thuhet në deklaratë.
Shtëpia e Bardhë gjithashtu njoftoi se Biden është koordinuar përmes telefonit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, për hapat e mëtutjeshëm të perëndimit në raport me situatën në Ukrainë.