Kryeministri Albin Kurti, sot në seancën solemne në Kuvendin e Kosovës për nder të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, i ka kritikuar mediat në vend derisa ka thënë se shpërndajnë dezinformata dhe janë bashkëpunëtore të shërbimeve të huaja, shkruan Reporteri.net.
Derisa ka lëvduar punën e qeverisjes së tij, që bëri opozitën edhe ta lëshojë sallën, ka gjetur kohë edhe t’i kritikojë mediat në Kosovë.
“Është përgjegjësi e qeverisë të krijojë politika që parandalojnë dhe luftojnë krimin e korrupsionin, por kur ai ndodhë është përgjegjësi e drejtësisë që të dënojë kriminelët dhe të korruptuarit. Është detyrë e qeverisë që punët t’i bëjë në dritën e diellit e të rrisë transparencën, por qeveria e vetme nuk mund të mbrojë demokracinë nga dezinformatat. Kjo është detyrë e secilit. Njëjtë siç korrupsioni në institucione publike rrënon besimin e qytetarëve në demokraci e në qeveri, dezinformatat rrënojnë besimin në media të lira e të pavarura, e një demokraci pa media të lira e të pavarura është çdoherë rrezik”, tha Kurti, përcjell Reporteri.net.
“Në fakt, dezinformatat janë kërcënim direkt ndaj demokracisë sepse ato keqinterpretojnë të vërtetën dhe shtrembërojnë realitetin. Shpeshherë këto dezinformata vijnë nga shërbime të huaja të jashtme, e aktorë dashakëqij të cilët synojnë destabilizimin e vendit dhe dobësimin e shtetit dhe demokracisë tonë, andaj duhet të jemi të vëmendshëm, shumë të vëmendshëm që të gjithë. Ne jemi shtet demokratik. Kushtetuta jonë mbron lirinë e shprehjes e fjalën e lirë, njëjtë siç mbron lirinë dhe të drejtën e tubimit e të protestës. Si Kryeministër i vendit e kuptoj dhe pranoj që njerëzit do të thonë lloj lloj gjërash çdo ditë për mua, dhe unë do të mbroj të drejtën e tyre për ta bërë këtë, sepse lufta jonë për liri nuk ishte luftë vetëm për t’u çliruar nga okupimi por për të jetuar të lirë. Pra, kemi luftuar që të mbrohet e drejta e secilit për të shpreh qëndrimet e saj e të tij edhe kur nuk pajtohemi me to, veçanërisht kur nuk pajtohemi”, tha Kurti.