Kryetarët e komunave duhet të paguhen sa deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe ministrat. Kjo është kërkesa e Asociacionit të Komunave të Kosovës që vlerëson se kryekomunarët duhet të vlerësohen për angazhimin e tyre. Po ashtu, kërkesë për rritjen e pagës ka edhe për asamblistët.
Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, tha se paga për krerët e komunave të Kosovës duhet të rritet për shkak se ata janë në dispozicion të qytetarëve në 24 orë të ditës.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës vlerëson së projektligji për paga nuk i trajton në mënyrë të dinjitetshme dhe i nënvlerëson kryetarët e komunave. Ne mendojmë që kryetarët e komunave duhet të vlerësohen me një koeficient të barabartë me koeficientin e deputetit të Republikës së Kosovës apo në nivelin e ministrit sepse kanë jashtëzakonisht shumë përgjegjësi, duke marrë parasysh që janë të zgjedhur të drejtpërdrejt nga qytetari i Republikës së Kosovës. Duke marrë parasysh se ata janë pothuajse 24 orë përgjegjës për zhvillimet në nivelin lokal, duke marrë parasysh që çdo ditë presin dhe dëgjojnë dhe i zgjidhin hallet e qytetareve e qe këto dilema nuk i kanë në nivelin qendror”, vijoi Ibrahimi.
Edhe anëtarët e Kuvendeve Komunale, sipas Ibrahimit, përveç pagës duhet të marrin edhe mëditje në pjesëmarrje në seancat e Kuvendeve Komunale.