Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vrasjes së policit Lirim Haxholli, mbrëmë në Zllatar.
Sveçla i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit dhe në të njëjtën kohë ka bërë thirrje për hetim të plotë të rastit.
“Në orët e hershme jam njoftuar për incidentin me të shtëna me armë zjarri në fshatin Zllatar nga i cili ka humbur jetën pjesëtari i Policisë së Kosovës, Lirim Haxholli. Shpreh ngushëllimet e mija familjes së të ndjerit për humbjen e familjarit të tyre” ka shkruar ai në Facebook.
“Me të marrë lajmin, kam kontaktuar Kryeshefin e IPK-së nga i cili kam kërkuar angazhimin maksimal të këtij institucioni në hetimin e plotë të kësaj ngjarje dhe rrethanave në të cilat ka ndodhur.
Tashmë janë angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme për të zbardhur rrethanat e ngjarjes si dhe përgjegjësit e kësaj tragjedie të vihen para përgjegjësisë” ka shtuar ministri Sveçla.