Njohës të çështjeve ekonomike në Kosovë, propozojnë që Qeveria e Kosovës t’ua mundësojë qytetarëve edhe një tërheqje nga Fondi Pensional, prej 20 për qind. Kjo, sipas tyre, do ta zbuste sadopak situatën e vështirë financiare aktuale, do të ndikonte në rritjen e konsumit dhe ngjalljen e aktivitetit ekonomik te bizneset.
Me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, të nxjerrë në dhjetor 2020 nga Qeveria e Avdullah Hotit, qytetarëve iu ishte mundësuar të tërheqin 10 për qind të kursimeve nga Trusti. Për katër muaj sa zgjati aplikimi, 427 371 veta tërhoqën mbi 197 milionë euro. Rreth 120 milionë euro prej tyre do të rimbursohen në 5 vitet e ardhshme, për personat që tërhoqën më pak se 1 mijë euro (kishin nën 10 mijë euro kursime).