Treg i pakontrolluar i naftës në Kosovë, brenda katër muajve çmimet u rritën deri në 25 centë

-

Rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës në Kosovë ka shënuar nivelin më të lartë në 20 vjetët e fundit, thonë zyrtarë nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës.

Sipas tyre, çmimet e naftës në Kosovë sillen nga 1.25 euro deri në 1.35 euro, ndërsa çmimet e benzinës nga 1.27 euro deri në 1.36 euro.

Brenda 3-4 muajve, këto çmime janë rritur për 20 deri në 25 centë.

Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se niveli i këtyre çmimeve varet nga përcaktimi i çmimeve të naftës dhe derivateve të saj nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), si dhe nga bursa ndërkombëtare.

Sipas tij, kur ka reduktim të prodhimit të naftës dhe derivateve të saj në tregjet botërore, atëherë edhe çmimet rriten.

Megjithatë, ai e vlerëson të çuditshëm hovin e fundit.

“Çdo ditë, gjatë tërë muajit janar dhe këtij muaji [shkurt], po ashtu në muajt dhjetor dhe nëntor [të vitit të kaluar] ka pasur vetëm rritje. S’ka pasur asnjëherë zbritje. Kjo është e çuditshme dhe kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Por, kjo është duke ndodhur për momentin. Çdo ditë kemi rritje 25 dollarë për tonë. Zbritje të çmimit ka pasur vetëm mbrëmë [më 7 shkurt] për një dollar më pak. Kjo nuk çon peshë fare”, thotë Berjani për Radion Evropa e Lirë.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, në rritjen e çmimeve kanë ndikuar tensionet gjeopolitike dhe pabarazia në rritje midis ofertës dhe kërkesës.

Berjani thotë se kompanitë, që furnizojnë me naftë në Kosovë, këtë derivat me shumicë e blejnë me çmim prej 1.21 eurosh për litër. Ky çmim, sipas tij, është i lartë dhe reflekton edhe në çmimin e lartë të shitjes me pakicë te konsumatorët.

Berjani, pa dhënë shumë detaje, thotë se ka indikacione se çmimet e naftës dhe benzinës mund të shënojnë rënie në ditët në vijim, për shkak se këto çmime mund të shënojnë rënie edhe në tregjet botërore.

spot_img

Follow us in Facebook,Instagram

113,363FansLike
887FollowersFollow

Postimet e fundit