1589 Çlirimë, 129 Çlirimtare

Muaji qershor do të mbetet përjetë në kujtesën e shqiptarëve. 20 vjet më parë, më datën 9 të këtij muaji, u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, e cila i dha fund gjenocidit dhe agresionit serb në Kosovë. Tri ditë pas, më 12 qershor, zbarkuan rreth 50 mijë trupa paqeruajtëse të NATO-s, me ç’rast u kurorëzua përfundimisht çlirimi i Kosovës. Sot, dy dekada pas këtij momenti historik, Kosova ka mbi 1500 djem me emrin Çlirim dhe mbi 120 vajza të pagëzuara “Çlirimtare”, shkruan sot gazeta “Zëri”.Sipas të dhënave të ofruara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) bëhet e ditur se sipas regjistrimit të popullsisë më 2011-n në Kosovë jetojnë 1589 persona të gjinisë mashkullore me emrin “Çlirim” (dhe “Qlirim”).

Pos kësaj, në përgjigjen e ASK-së dhënë gazetës “Zëri” thuhet se 129 persona të gjinisë femërore në Kosovë kanë emrin “Çlirimtare (dhe “Qlirimtare”).E sot kur kanë kaluar dy dekada nga çlirimi i Kosovës Çlirim Berisha ndihet tejet i lumtur që mban emrin i cili simbolizon lirinë e vendit të tij.“Unë e mbaj me mjaft krenari emrin tim, sidomos duke marrë parasysh që çlirimi vërtet ndodhi. Aq më shumë ai ndodhi pas vendosjes së emrit tim dhe vendosjes së shumë Çlirimave të tjerë”, shprehet ai.Edhe Çlirimtare Dukolli, nga Komuna e Malishevës, e cila kishte ardhur në këtë botë rreth dy muaj pas çlirimit të Kosovës, thotë se e mban me krenari dhe me përgjegjësi emrin e saj.“Siç më kanë treguar familjarët, emrin ‘Çlirimtare’ ma kanë vendosur pasi unë erdha në jetë menjëherë pas çlirimit të Kosovës, pra një muaj e gjysmë pas çlirimit”, rrëfen Dukolli.Si vajzë e një ish-luftëtari të lirisë (Çerkin Dukolli)Çlirimtarja ndihet tejet me fat dhe e lumtur që është pagëzuar me emrin i cili ndërlidhet me triumfin pas sakrificave.

“Në çdo përvjetor të çlirimit të vendit ky emër është pjesë e diskursit të përgjithshëm qytetar të Kosovës, gjithsesi edhe në përvjetorët jubilarë si ky 20-vjetor, realisht më bën të ndihem shumë mirë dhe shumë krenare, pasi përveçqë mbaj këtë emër, jam edhe vajzë e një çlirimtari, ish-luftëtari të lirisë”, vazhdon ajo.Teksa flet për gazetën “Zëri”, Çlirimtarja, e cila ende nuk ka mbushur 20 vjet, thotë se shumë herë shoqet e saj e thërrasin edhe UÇK.“Shumë prej shoqërisë mendojnë se kam emër të gjatë dhe shkurt më thërrasin ‘UÇK’, diçka që të tjerëve shpeshherë u duket interesante, e padëgjuar më parë”, thekson ajo.Qysh prejse kishte lindur Çlirimtarja kishte qenë vajzamë e përkëdhelur e familjes, me faktin e vetëm që bashkë me çlirimin e Kosovës kishte ardhur në këtë botë.

“Sa isha në moshën 3-4 vjeçe, kur edhe fillova ta kuptoj domethënien e emrit tim, gjyshërit e mi tanimë të ndjerë gjithmonë më thoshin ‘Çlirimtare, ti ke ardhur me çlirimin e vendit dhe ti je shumë e rëndësishme’. Kjo në një formë ose në tjetrën më bënte edhe si fëmijën më të privilegjuar të familjes”, thotë Dukolli, derisa shton se kjo fjali e gjyshërve mbetet një prej kujtimeve më të paharruara. /ZERI