Prokuroria ka marrë dosjet e nëntë pacientëve të QKUK-së që cilësohen si vdekje të dyshimta

Prokuroria, pritet të nisë hetime lidhur me vdekjen e disa pacientëve që dyshohet se kishin ndodhur gjatë vitit të kaluar, në dy klinikat e QKUK-së, Kardiologjisë Invazive dhe Kardiokirurgjisë.Vetëm disa muaj pasi KTV-ja kishte raportuar lidhur me dyshimet për rritjen e numrit të pacientëve të vdekur pas ndarjes së njësisë së Kardiologjisë Invazive nga Klinika e Kardiologjisë, Oda e Mjekëve të Kosovës ka vendosur që disa prej këtyre rasteve t’i dërgojë për hetim në Prokurori.Me dyshimet se kishte pasur trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor e neglizhencë gjatë trajtimit, Prokurorisë i janë dorëzuar 9 dosje të pacientëve.

Pleurat Sejdiu thotë se prokurori i Odës së Mjekëve, fillimisht e pati të vështirë t’i hetojë këto lëndë, për shkak se as jashtë Kosovës nuk arriti të gjente ekspertë të cilët do të kryenin ekspertizën e këtyre rasteve.Derisa dy klinikat, ajo e Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë, kishin hezituar të ofronin dokumente dhe të dhëna për këto dosje.KTV-ja ka kërkuar sqarime edhe nga QKUK-ja për këto dosje, por përgjigjja e vetme ishte se ky institucion ka bashkëpunim të mirë me Odën e Mjekëve dhe përgjigjet në çdo kërkesë që ka kjo ajo.“QKUK-ja ka bashkëpunim të mirë me Odën e Mjekëve dhe përgjigjet në çdo kërkesë që ka Oda e Mjekëve”, thuhet në përgjigjen nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Në mars të këtij viti, KTV-ja kishte raportuar se si disa kardiologë të QKUK-së kishin alarmuar lidhur me rritjen e vdekjeve te pacientët, pas ndarjes së njësisë së Kardiologjisë Invazive nga Klinika e Kardiologjisë. Derisa, SHSKUK-ja, përmes një konferencë për media, kishte mohuar të dhënat mbi vdekshmërinë e pacientëve në këto dy klinika.