Shiu dhe breshëri shkaktojnë dëme, më së shumti preket kultura e grurit

Reshjet e fundit të shiut dhe breshërit në disa zona të Kosovës kanë shkaktuar mjaft dëme për fermerët që kultivojnë kultura të ndryshme bujqësore.Veçanërisht dëmet vërehen te kultura e grurit e cila muajin e ardhshëm fillon korrjen, shkruan Indeksonline.Profesori Imer Rusinovci që ligjeron në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, ka thënë se Ministria e Bujqësisë duhet të vlerësoj dëmet që kanë shkaktuar reshjet e fundit dhe të ndihmoj fermerët.

“Normalisht që reshjet lënë dëme të konsiderueshme. Për shkallën e dëmeve nuk mund të them saktësisht sepse duhen vlerësime të ekspertëve nga regjionet e caktuara.Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me departamentet rajonale që i ka në terren dhe ato komunale duhet të funksionalizoj ekipe të caktuara të ekspertëve të cilët duhet të përcaktojnë shkallën e dëmit posaqërisht nga breshëri dhe invazioni i madh i reshjeve.

Këto reshje janë shumë të dëmshme për kulturat të cilat janë në fazën përfundimtare të mbushjes siç është gruri që korret muajin e ardhshëm. Edhe në kulturat tjera që janë në mbushje të kokrrës. Reshjet e majit janë të mirëseardhura për këto kultura, por kur ato ndodhin në qershor dhe veçanërisht kur shoqërohen me breshër janë të dëmshme dhe shkaktojnë humbje të mëdha për fermer” deklaroi Rusinovci për Indeksonline. Rajoni i Dukagjinit është prekur më së shumti nga reshjet e fundit të shiut dhe breshërit.