Strategjia dalëse e Thaçit për Luginën, çfarë thonë partitë për projekt – rezolutën e tij

Presidenti Hashim Thaçi e ka menduar mirë strategjinë dalëse për çështjen e Luginës së Preshevës për të cilën deklarativisht thotë se duhet t’i bashkohet Kosovës. Duke e parë që ky ‘plan” në të cilin nuk beson as vet ai, e as nuk po mbështetet ndërkombëtarisht, Presidenti ka vendosur ta çojë në Kuvend një projekt-rezolutë e cila edhe nëse miratohet nuk është obligative. Por, nëse deputetet nuk e votojnë, kjo do të ishte ideale për Thaçin pasi fajin për “mosinteresim” ndaj Luginës do ta hidhte tek deputetët. Gazeta Express ka biseduar me partitë politike rreth kësaj projekt-rezolute.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tentoi dje të marrë votat e deputetëve, duke sjellë para Kuvendit një dokument me anë të së cilit kërkohet që të vihet në jetë ideja e tij për shkëmbim me territore, por, që këtë herë, zbatimin e saj ia la në dorë Kuvendit.  Derisa ligjvënësit ishin në kulm të diskutimit për gjendjen në Luginë, kërkesa e presidentit u kritikua ashpër nga opozita, që thanë se Thaçi po tenton të kyçet në një seancë të thirrur nga deputetët që paraprakisht kishin vizituar atë anë e kishin sjellë një rezolutë për këtë çështje.

Nga PDK, duke i dalë në mbështetje ish ‘shefit të partisë, thanë se deputetët e kanë personale me Thaçin, pasi që të njëjtën nuk duan as ta diskutojnë. Draft-rezoluta e Thaçit mbeti dje pa u votuar në Kuvend, pasi që për të njëjtën nuk pati kuorum. Mirëpo, si do të votojnë deputetët në rast se e njëjta kthehet përsëri për diskutim? Gazeta Express ka biseduar sot gjatë ditës me deputetët e të gjitha partive, derisa këta të fundit kanë treguar qëndrimin e tyre sa i përket votimit të këtij drafti.

Në një bisedë për Gazetën Express, shefi i grupit parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti ka thënë se është presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ai që duhet të qëndrojë brenda kompetencave kushtetuesve, e se në Kuvend duhet të diskutohet për çështjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. “Presidenti i vendit, duhet të qëndrojë në kuadër të kompetencave kushtetuese . Kuvendi i Kosovës si institucioni më i lartë i vendit po merret me çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka deklaruar Hoti.

Njëjtë si LDK po mendon edhe partneri i saj në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje. Duke folur për Express, deputeti Liburn Aliu që edhe dje në Kuvend kundërshtoi ashpër idenë e Thaçit tha se rezoluta e tij është futur në mënyrë joligjore.

“Ne edhe dje theksuam se rezoluta e parë për Luginën është sjell në Kuvend në qershor të vitit 2013 e cila erdhi për votim e diskutim pikërisht për të mbuluar turpin e qeverisë së asaj kohe që paraprakisht kishte nënshkruar marrëveshjen për ‘Zajdenicën’ e që më parë kishin ndodhur shumë ngjarje në Luginë deri te largimi edhe i lapidarit në Preshevë dhe për të cilat qeveria jonë nuk ishte marrë fare. Por edhe si e tillë nga kjo rezolutë nuk u jetësua asnjë pikë deri më sot. Pra përveç se kjo rezolutë është futur në mënyrë joligjore në Kuvend nga ana e Presidentit ajo thirret në rezolutën e vitit 2013 e prej të cilës ky president, atëherë kryeministër, praktikisht nuk ka ndërmarrë asgjë, për më keq tash përmes deklaratave e ka demobilizuar komplet Luginën”, deklaron deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu.

Si duket rreth kësaj çështje, opozita do të qëndrojë e bashkuar për të kundërshtuar Thaçin. Nga Partia Social Demokrate po thonë se është Hashim Thaçi ai që nuk e ka përfshirë Luginën e Preshevës në dialog me Serbinë.Duke folur për Express, deputeti i kësaj partie, Driton Caushi po thotë se Lugina e Preshevës është bërë temë zyrtare vetëm përmes platformës shtetërore, derisa kanë propozuar nga Qeveria që të hap zyrë për Luginën në kuadër të kryeministrisë.

“Si kryenegociues përgjatë viteve, Presidenti Hashim Thaçi është pikërisht ai që nuk e ka përfshirë Luginën e Preshevës në dialogun me Serbinë, as si temë dhe as si përfaqësim. Me përfshirjen e PSD në procesin e dialogut, Lugina e Preshevës është bërë temë zyrtare e Republikës së Kosovës në dialogun me Serbinë, nëpërmjet platformës shtetërore. Kjo platformë e përcakton qartë pozicionin e Republikës së Kosovës karshi Luginës së Preshevës për dialogun me Serbinë. Nuk kemi nevojë ta instrumentalizojmë Luginën për protagonizma dhe poena të lirë politik. Kjo praktikë e dëmton edhe Kosovën, edhe Luginën. Tash është më e rëndësishme që qeveria të hap zyrën për Luginën në kuadër të kryeministrisë, të hapet vija buxhetore për Luginën, të ndërtohet një strategji dhe plan shtetëror për Luginën dhe të mbështet Këshilli Kombëtar Shqiptar”, tha deputeti Çaushi. E përderisa opozita kundërshton përfshirjen e Thaçit në zgjidhjen eventuale që mund të arrihet për Luginën e Preshevës, nga partia që dikur ai udhëhoqi për vite të tëra, PDK’ja po e mbrojnë presidentin, duke kërkuar mbështetje edhe me votë.

Njëjtë është deklaruar edhe sot, shefi i grupit parlamentar të PDK’së, Memli Krasniqi. Ai po thotë se diskutimet që ndodhën dje ishin për keqardhje.“Diskutimet dje kanë qenë të shumta dhe ishte për keqardhje që në fund të seancës nuk pati kuorum për të votuar rezolutën e propozuar nga komisioni. Propozimi i presidentit nuk u shqyrtua. Nëse vjen përsëri në seancë, besoj secili grup parlamentar I jep qëndrimet e veta”, deklaroi Krasniqi.

Se çfarë qëndrimi do të mbajnë karshi kësaj teme ende nuk e kanë vendosur partia e kryeministrit AAK’ja e Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limaj. I kontaktuar nga Express, deputeti i AAK’së, Muharrem Nitaj po thotë se fillimisht ishin grupet paralamentare që harmonizuan tekstin e një rezolute që doli në votim. “Kuvendi me nismën e dy komisioneve e ka thirrë një seancë që është mbajtur dje dhe ka propozuar një projektrezolutë për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën. E di që grupet parlamentare e kanë harmonizuar tekstin e saj dhe ajo pritet të dalë në votim. Ndërkohë ka arritur edhe një propozim rezolutë nga Presidenti, por, me sa di unë ajo nuk është future për trajtim në seancën e thirrur nga Komisionet Parlamentare”, deklaroi Nitaj, duke shtuar se e njëjta mund të trajtohet në një mbledhje tjetër që mund ta thirrë PDK ose presidenti vetë.

“Propozim rezoluta e presidentit do të mund të trajtohej në një mbledhje tjetër, që mund ta thërrasë ose GP i PDK’së ose presidenti vetë, natyrisht nëse e vlerësojmë. Ne mund të kemi qëndrim vetëm atëherë kur propozim rezoluta e presidentit të vendoset të trajtohet në Kuvend. Deri më tani nuk ka ndodhur një gjë e tillë”, deklaroi deputeti i AAK’së Njëjtë si kolegu i tij në pozitë, po shprehet edhe shefi i grupit parlamentar të Nismës Social Demokrate, Bilall Sherifi.

Sherifi në një bisedë për Gazetën Express tha se sa i përket draftit që ka propozuar presidenti, mund të thirret një seancë e re. “Kuvendi i Kosovës dje ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme për çështjen e Luginës së Preshevës. Pas debatit të gjerë përfaqësuesit e grupeve parlamentare kanë harmonizuar qëndrimet dhe Kuvendit i kanë ofruar një projekt-rezolutë të përbashkët. Besoj se në seancën e radhës e njëjta do të votohet nga deputetët. Sa i përket të drafu-rezolutës që e dorëzoi presidenti, le të thirret seancë e re, le të hapet debate për propozimin e tij pastaj përgjigjen do ta merr në seancë”, deklaroi Sherifi.

Ndryshe, presidenti i Kosovës, ia ka dërguar dërguar Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe miratim një draft-rezolutë për kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke kërkuar që shqiptarët e Luginës të jenë pjesë e dialogut, kjo çështje të ngritët në çdo forum ndërkombëtar, si dhe të hartohet një platformë e përbashkët nga Institucionet e Republikës së Kosovës.

Në këtë draft-rezolutë thuhet se institucionet e Republikës së Kosovës, përmes kësaj rezolute, obligohen që të respektojnë vullnetin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën, të shprehur me Referendum të vitit 1992 si dhe me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc./