“4-5 orë, 12 vetë më kanë dhunu veç mua”, rrëfimi i trishtë i gruas që i mbijetoi dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

-

Një grua nga Prishtina, ka rrëfyer për herë të parë, ekskluzivisht për Gazetën Online Reporteri.net, tmerrin që përjetoi gjatë luftës në fundit në Kosovë, kur marsin e vitit 1999 u bë viktimë e dhunës seksuale që paramilitarët serbë ushtruan ndaj grave e burrave shqiptar.

V.B. në rrëfimin e saj, fakton për herë të parë dyshimet e ngritura menjëherë pas luftës, në një raport të “Human Rights Watch” për Kosovën, ku tregohet se ndërtesa e fakultetit Ekonomik dhe Juridik të UP-së është përdorur nga paramilitarët serb për të dhunuar seksualisht gratë shqiptare në Kosovë. Dyshime këto të cilat i fakton rrëfimi i gruas V.B., në hulumtimin e gazetarit Mirlind Behluli për Gazetën Online Reporteri.net, pjesa e parë e të cilit është publikuar sot.

Në rrëfimin e gjatë të saj, V.B. për Gazetën Online Reporteri.net, përshkruan orët më të gjata të jetës së saj dhe mënyrën se si në pranverë të vitit 1999, ajo u dëbua me tërë familjen e saj nga banesa në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës, e më pas u tërhoq prej kolonës nga ushtarët e policët serbë.

Rrëmbimin e V.B. e kundërshtoi bashkëshorti i saj, i cili mbeti i plagosur në këmbën e majtë teksa po luftonte për të shpëtuar gruan e tij nga serbët e uniformuar.

E pas rrëmbimit, atëbotë 23 vjeçja V.B. përfundoi në objektin e Fakultetit Ekonomik dhe Juridik e ku pohon se u dhunua seksualisht për disa orë nga 12 ushtarë e policë serbë.

“Na shtinë në Fakultet, korrili i shkollës bajke foto me aparat. Na kanë dhunu e rreh se u mundojshim me rezistu, por ishte e kotë. 4-5 orë 12 vetë më kanë dhunu veç mua”, rrëfen V.B. për Gazetën Online Reporteri.net, derisa cila pohon se nuk kishte qenë e vetmja viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë që u përdhunua brenda objektit të kampusit universitar të Prishtinës.

Tutje ajo tregon mendimet e para që i erdhën në kokë pasi u lirua nga serbët.

“Kur kanë dhanë urdhër me na lëshu, thash ta mbys vetën”, shton V.B.

Përgjatë rrëfimit, i cili publikohet i plotë nesër në Gazetën Online Reporteri.net, V.B. shpalos bisedën e parë me burrin dhe vjehrrin pas ndodhisë, rikthimin në Kosovë e pasojat që i la kjo ngjarje tragjike e pranverës së 1999.

Gazeta Online Reporteri.net, të martën (nesër), do të publikojë të plotë rrëfimin e kësaj gruaje, si dëshmia e parë e gjallë e përdhunimeve që u kryen nga paramilitarët serb gjatë luftës në Kosovë brenda objektit të fakultetit Ekonomik dhe Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Organizata “Human Rights Watch”, në kuadër të raportit “Kosovo: Rape as a Weapon of “Ethnic Cleansing” [Kosova: Përdhunimi si armë e ‘spastrimit etnik’], në vitin 2000, listonte disa mënyra se si ndodhnin këto dhunime seksuale gjatë luftës, përfshirë mbajtjen peng të grave shqiptare, përdhunimet në shtëpi dhe në të tjera objekte të shfrytëzuara nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare të Serbisë.

Sipas raportit, një nga ndërtesat e kthyera në qendra ku ushtrohej dhuna seksuale ndaj grave e burrave shqiptar ishte edhe kampusi qendror i Universitetit të Prishtinës. Më konkretisht, objekti i Fakultetit Ekonomik dhe Juridik.

Në një intervistë menjëherë pas lufte për “Human Rights Watch”, Sevdie Ahmeti, aktivistja tashmë e ndjerë e shoqërisë civile, kishte përshkruar gjendjen në të cilën e kishte gjetur objektin e Fakultetit Ekonomik e Juridik menjëherë pas luftës. Bazuar në ato se çfarë ajo dhe të tjerët kishin hasur, sipas Ahmetit, ky objekt është përdorur për dhunimin seksual të grave gjatë vitit 1999.

Aty ishin gjetur batanije me njolla gjaku, të mbathura të brendshme të grave, krehër flokësh, e mure të veshura me postorë pornografikë.

“Sipas Sevdie Ahmetit, departamenti i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës mund të jetë përdorur edhe si qendër për përdhunime dhe forma të tjera të dhunës seksuale. Ahmeti dhe hetuesit e tjerë që e shoqëruan atë, gjetën geta, krehër dhe brekë grash të shpërndara nëpër bodrum. Dhoma ishte zbukuruar me fotografi pornografike të grave. Në një dërrasë të zezë në njërën anë të dhomës, ishte shkruar një mesazh në serbisht: “Nëse je i frustruar, zbrazu mes këmbëve të një gruaje”. Batanijet e gjetura në bodrum kishin ato që dukej të ishin njolla gjaku”, citonte HRW rrëfimin e Ahmetit, në raportin e vitit 2000.

Ndryshe, megjithëse përllogaritet që janë afërsisht 20 mijë gra viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, deri më tani statusin e viktimës e gëzojnë vetëm pak më shumë se 1 mijë persona. Në mesin e tyre ka edhe burra shqiptarë.

Nga Komisioni Qeveritar treguan shifrat e sakta të aplikimeve dhe të grave e burrave që u është njohur ky status, që rezultojnë se nga 1618 aplikime, 1044 janë gra që janë evidentuar si viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, derisa 48 të tjerë burra.

“Sa i përket procesit të aplikimit që nga fillimi i procesit me datë 05.02.2018 e deri më tash kemi pranuar gjithsej 1618 aplikacione, prej tyre 1044 femrave dhe 48 meshkujve i ’u është njohur statuti viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës. Procesi i aplikimit është duke vazhduar normalisht, më këtë rast inkurajojnë të mbijetuarit për të aplikuar në Komisionin Qeveritar për përfitimin e të drejtave të tyre për njohjen e statusit viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës”, sqaruan nga Komisioni Qeveritar për Gazetën Online Reporteri.net.

Follow us in Facebook,Instagram

113,363FansLike
887FollowersFollow

Postimet e fundit