Asociacioni dhe ndryshimi i Kushtetutës/ Kosova rrezikon shtetësinë me karakter unitar dhe kalimin në shtet federativ

Është kërkesë e Serbisë që është transformuar në një rekomandim në formë përbuzëse ndaj Kushtetutës së Kosovës nga emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi – e që në Kosovë kundërshtohet ashpër nga të gjitha qarqet publike e politike. Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe dhe ndryshimi i Kushtetutës për t’u implementuar kjo është shndërruar në temë të nxehtë kohëve të fundit.

Tërë debati rreth formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe ka marrë zjarr pas deklaratës së emisarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak ku thotë se: ‘Kushtetuta e Kosovës nuk është bibël dhe se ajo mund të ndryshohet për t’iu përshtatur juridikisht formimit të asociacionit’. E një gjë e tillë, nga ekspertët e Kushtetutës po shihet si rrezik për shtetësinë e Kosovës dhe ndryshimin e karakterit unitar të shtetit – duke e transformuar Kosovën kështu në një federatë ose konfederatë, gjithmonë nëse ky Asociacion merr kompetenca ekzekutive. Sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015, Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe nuk parasheh të ketë kompetenca ekzekutive dhe parashihet që i njëjti të formohet sipas Kushtetutës së Kosovës, por Serbia ka kërkesa shtesë e këto kërkesa të Serbisë me gjasë po artikulohen edhe nga Bashkimi Evropian. Eksperti i Kushtetutës, Riza Smaka në një intervistëpër lajmi.net është shprehur se kërkesa aktuale për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është në kundërshtim me Kushtetutën për aq sa mund të themelohet me autorizime ekzekutive. Ai e konsideron edhe të paarsyeshme formimin e këtij asociacioni përderisa ekziston Asociacioni i Komunave të Kosovës. “Kërkesa aktuale për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe është e kundërshtimshme me Kushtetutën e Kosovës për aq sa do të mund të themelohej me autorizime ekzekutive në një anë dhe është e paarsyeshme, ngase në Kosovë ekziston Asociacioni i Komunave të Kosovës. Për aq sa janë komunat me shumicë shqiptare e të tjerë në Kosovë, aq janë dhe duhet të jenë edhe komunat me shumicë serbe në Kosovë, pra, anëtare të Asociacionit të Komunave të Kosovës”, tha ai për lajmi.net.

Më tutje, Smaka shprehet se formimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive do të sfidonte seriozisht natyrën dhe karakterin e shtetit unik të Kosovës. “Pra, sikundër komunat e tjera në Kosovë edhe komunat me shumicë serbe në Kosovë janë komuna të Republikës së Kosovës dhe si të tilla do të duhej të anëtarësoheshin në Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe në të t’i realizonin autorizimet e caktuara të tyre. Formimi eventual i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë, krahas Asociacionit ekzistues të komunave të Kosovës, do të trazonte dhe do të sfidonte seriozisht natyrën dhe karakterin e shtetit unik të Kosovës, do t’i dyfishonte Asociacionet e komunave duke shkaktuar harxhime të pajustifikuara të mjeteve buxhetore madje duke mos ofruar asnjë shërbim publik që aktualisht nuk do të mund të realizohej në komunat ekzistuese si dhe serbet kosovarë në vend të integrimit në shoqërinë politike dhe në institucionet kosovare, në masë të konsideruar do t’i getoizonte në kundërshtim të plotë me karakterin e Republikës së Kosovës si shtet qytetar”, tha Smaka gjithashtu. Ndërkohë, eksperti Smaka thotë se në rast të formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe me kompetenca ekzekutive shteti unik i Kosovës do të shndërrohej në shtet me karakter federativ, eventualisht konferedativ.

“Nëse, në marrëveshjen politike Kosovë – Serbi do të akordohej formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, Kosova nga shteti unik do të shndërrohej në shtet të përbërë të karakterit federativ, eventualisht konfederativ dhe për aq shteti dhe shtetësia e Kosovës do të problematizohej skajshëm në dëmin e efikasitetit, efiçiencës dhe qëndrueshmërisë. Në atë formë do të shkaktohej çrregullim i parimeve themelore të Republikës së Kosovës nga shteti qytetar e unik në shtet të përbërë, etnik dhe disfunksional”, tha Smaka më tutje. I pyetur se si do të mund të ndryshohej Kushtetuta e Kosovës dhe çfarë do të ndryshonte, Smaka ka sqaruar se neni 1, paragrafi 1 i Kushtetutës së Kosovës do të ndryshonte në shtet të përbërë dhe etnik. “Për zgjidhjen e sprasme do të kërkohej amendimi esencial i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, veçanërisht i dispozitës së nenit 1, paragrafi 1, të Kushtetutës duke e riformuluar Republikën e Kosovës në shtet të përbërë dhe etnik. Ndryshe, procedura legjislative për amendime, modifikime e novelizime të Kushtetutës nuk është e ndërlikuar pos që kërkohet shumica e kualifikuar për t’i votuar si dhe uniteti politik së paku i partive politike parlamentare”, tha Smaka. Smaka më tutje thotë se klasa politike duhet të refuzojë idenë dhe konceptin e formimit të Asociacionit me kompetenca ekzekutive në vijën e tij të argumentimit se kjo e cenon shtetësinë e Kosovës. “Klasa politike aktuale e vendit tonë medoemos do të duhej të ishte në platformë unike për refuzimin e idesë dhe konceptit për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë, veçanërisht jo të Asociacionit me funksione ekzekutive. Pra çdo takimi ndërkombëtar referuar marrëveshjes Kosovë – Serbi klasa politike përkatësisht pushtetarët do të duhej të përgatitej seriozisht dhe të mbështetej me grupe të ekspertëve të mirëfilltë veçanërisht nga fusha e Kushtetutës në nivelin doktrinar dhe praktik”, tha Smaka.

Ideja e Asociacionit me kompetenca ekzekutive në Kosovë është kundërshtuar ashpër edhe nga kryeministri aktual, Avdullah Hoti. Ai ka thënë se një asociacion i tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe se i njëjti nuk do të themelohet.

Në anën tjetër, kjo temë ka ngrirë edhe dialogun Kosovë – Serbi pasi pala serbe insiston në shtrimin e çështjes së Asociacionit në tavolinë, temë kjo që konsiderohet e mbyllur nga pala kosovare me dy marrëveshjet paraprake (2013 dhe 2015). Në Kosovë është kërkuar edhe shkarkimi i Lajçakut nga pozita e cila e ushtron tani, si ndërmjetësues i dialogut Kosovë – Serbi me mandat nga Bashkimi Evropian si emisar i Posaçëm./periskopi