Kryeministri Albin Kurti do të flasë me KFOR-in për barrikadat, pas Krishtlindjeve, kurse koeficienti për paga tha se do të vendoset në janar.
Në një konferencë për media, kryeministri Albin Kurti tha se Kosova nuk mund të tolerojë deri në pafundësi. Ai tha se barrikadat po e pengojnë lirinë e lëvizjes.
Kreu i Qeverisë së kosovës u shpreh të shtunën se ndonëse KFOR-i ka kërkuar pak kohë për heqjen e barrikadave në veri të vendit, tashmë janë bërë dy jave prej kur ato janë vendosur.
Ne i kemi dhënë kohë pikërisht për shkak se liria e lëvizjes është konsideruar vlera themelore në Republikën e Kosovës nga pikëpamja e KFOR-it”, tha Kurti.
Sipas tij, tash liria e lëvizjes nuk ekziston sepse janë 11 barrikada të vendosura.
“Siç e dini të gjithë, ato barrikada nuk janë civile, por barrikada të njerëzve të uniformuar e të armatosur”, tha ai. burimi nga RTK live
Kryeministri u shpreh se ato janë të pozicionuara në atë formë që më shumë kanë të bëjnë për ta mbrojtur personin e uniformuar për të shtënë drejt veturave që vijnë, sesa të mos lejojnë tejkalimin e automjeteve në pjesën tjetër të barrikadës.
Kreu i ekzekutivit tha se pas Krishtlindjeve do të zhvillojë takim me komandantin e KFOR-it, ku do të sqarohet gjithçka.
Në konferencë për media, kryeministri Kurti foli edhe në lidhje me Ligjin e Pagave dhe atë për Zyrtarët Publikë.
Kurti bëri të ditur se këto dy ligje do të hyjnë në fuqi nga 1 shkurti
Ai u shpreh se qeveria nuk e ka pasur si pikënisje vlerën e koeficientit, por terësinë e buxhetit.
“Brenda vitit 2022 u përmbyllën në të dy leximet, prej 1 shkurtit hyjnë në fuqi, totali i përgjithshëm i buxhetit për paga 745 milionë euro, pra për neve pikënisje është tërësia, jo pjesa, jo elementi”, tha ai.
“Andaj ne nuk e kemi pasur si pikënisje vlerën e koeficientit, por terësinë e buxhetit. Në muajin janar kjo të vendoset sigurisht dhe pas 1 shkurtit fillojnë pagat me ligjin e pagave”.
Sipas tij, nuk mund të përcaktohet koeficienti në ligjin e pagave, sepse kjo lidhet me buxhetin dhe kjo do të bëhet në muajin janar.
Në fund, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se emri i ministrit të ri i Shëndetësisë do të dihet para Vitit të Ri.