BE-ja synon të vazhdojë dialogun Kosovë-Serbi pa presidentin Thaçi

Zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) synojnë të vazhdojë përpjekjet për rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, por në këto plane, nuk e përfshijnë më presidentin, Hashim Thaçi, i cili i ka udhëhequr negociatat me Serbinë në emër të Kosovës për vite me rradhë.

Zyrtarët e BE-së kanë njoftuar se pas këtyre zhvillimeve ata nuk e konsiderojnë më presidentin e Kosovës, një partner në procesin e dialogut. “Në reagimet tona deri më tani, ne kemi thënë midis rreshtave, se do të ishte më mirë që ai (Thaçi) të përqëndrohet në aktakuzën e tij dhe se derisa çështja të zgjidhet, pra të ketë një aktgjykim, nga ana e BE-së do të ketë shumë pak ndërveprim me të”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë (RFE) një zyrtar evropian që merret me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Në çdo rast, BE-së vlerëson se Prishtina zyrtare do të vazhdojë të jetë e përkushtuar për dialog, pavarësisht se kush e zhvillon atë në emër të Kosovës. “Nuk i takon BE-së të zgjedhë bashkëbiseduesit, por i takon palës kosovare të vendosë kush do të përfaqësojë më së miri interesat e tyre”, tha Virginie Battu-Henriksson, një zëdhënëse e BE.

BE-ja synon që së shpejti të organizojë një Samit në Paris, ku do të takohen delegacionet e Kosovës dhe Serbisë. Nikoqirë do të jenë presidenti i Francës, Emanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. Takimi ka të ngjarë të mbahet në 10 korrik. Kjo datë është caktuar para njoftimit për aktakuzën kundër presidentit të Kosovës.