Covid nuk do të jetë asnjëherë grip, çfarë thonë studimet?

-

Covid-19 nuk do të bëhet kurrë një sëmundje endemike, por do të sillet gjithmonë si një virus epidemik, ka paralajmëruar një eksperte e biosigurisë.

Raina MacIntyre, profesore e biosigurisë globale në Universitetin New South Wales në Sidnej, tha për CNBC që megjithëse sëmundjet endemike mund të përhapen shumë, numri i rasteve nuk ndryshon aq shpejt sa po ndodh me koronavirusin.

“Nëse numrat e rasteve ndryshojnë në një sëmundje endemike, kjo ndodh ngadalë, zakonisht me kalimin e viteve,” tha ajo. “Nga ana tjetër, rastet e sëmundjeve epidemike rriten me shpejtësi edhe në periudha të shkurtra prej disa ditësh ose javësh.”

Shkencëtarët përdorin një ekuacion matematikor, të njohur si R0, për të vlerësuar shpejtësinë me të cilën po përhapet një sëmundje. R0 tregon sa njerëz do të sëmuren nga një person i infektuar. Ekspertët në Imperial College London vlerësojnë se Omicron mund ta ketë këtë shifër më të lartë se 3.

Nëse R0 e një sëmundjeje është më e madhe se 1, rritja është eksponenciale, që do të thotë se virusi po bëhet më i përhapur dhe ekzistojnë kushtet për krijimin e një epidemie, tha MacIntyre.

“Qëllimi i autoriteteve të shëndetit publik është që ta mbajnë R-efektive – që është R0 e modifikuar nga ndërhyrje të tilla si vaksinat, maskat ose masat e tjera parandaluese – nën shifrën 1,” tha ajo për CNBC. “Por, nëse R0 është më e lartë se 1, zakonisht ndodhin valë epidemike të përsëritura për infeksionet epidemike që transmetohen nga rrugët e frymëmarrjes.”

MacIntyre theksoi se kjo sjellje është vënë re te virusi i lisë për shekuj me radhë dhe vazhdon të dallohet edhe me fruthin dhe gripin. I njëti model vihet re edhe në rastin e Covid-it, shtoi ajo, pasi ka pasur katër valë të mëdha të tij gjatë dy viteve të fundit.

“Covid nuk do të shndërrohet papritur në një infeksion endemik të ngjashëm me malarien, ku nivelet e rasteve të infektimeve qëndrojnë konstante për periudha të gjata kohe,” tha ajo. “Ai do të vazhdojë të shkaktojë valë epidemike, që do të nxiten nga zbehja e imunitetit të ofruar nga vaksinat, nga variantet e reja që anashkalojnë mbrojtjen e vaksinave, nga zonat ku një pjesë e madhe e popullsisë nuk janë vaksinuar ende, nga lindjet dhe migrimi.”

“Kjo është arsyeja pse na nevojitet një strategji e vazhdueshme e ‘vaksinave-plus’ dhe e ventilimit, për të mbajtur indikatorin R nën shifrën 1, në mënyrë që të mund të jetojmë me virusin pa pasur ndërprerje të mëdha të aktivitetit në shoqëri,” tha MacIntyre, duke shtuar një paralajmërim se “do të ketë akoma më shumë variante të reja.”

Javën e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se varianti i ardhshëm i Covid-it do të jetë edhe më ngjitës se Omicron.

Global Biosecurity, llogaria në Twitter që përfaqëson një grup departamentesh kërkimore të Universitetit New South Wales në Sidnej që merren me epidemitë, pandemitë dhe epidemiologjinë, deklaroi vitin e kaluar se Covid do të vazhdojë të “ketë modelin e rritjes dhe rënies së rasteve, që është karakteristik për sëmundjet epidemike”.

“Covid nuk do të jetë kurrë sëmundje endemike,” tha organizata. “Kjo është një sëmundje epidemike dhe kështu do të jetë gjithmonë. Virusi do të jetë vazhdimisht në kërkim të njerëzve të pavaksinuar ose që nuk kanë marrë të gjitha dozat dhe do të përhapet me shpejtësi në ato grupe.”

Follow us in Facebook,Instagram

113,363FansLike
887FollowersFollow

Postimet e fundit