Infektohet me koronavirus futbollisti i Dritës, një ditë pasi klubi i rifilloi stërvitjet

Futbollisti i Dritës pozitiv me koronavirus, një ditë pasi klubi i rifilloi stërvitjet. Drita ka njoftuar se njëri prej futbollistëve të saj ka dalë pozitiv në testin për Covid-19, duke u bërë kështu lojtari i parë i Ipko Superligës që ka koronavirus.

Klubi nga Gjilani nuk e ka bërë të ditur futbollistin e infektuar me virus, por ka treguar se ai është vetizoluar.

Ky lajm i keq vjen vetë një ditë pasi klubi i rifilloi stërvitjet pasi Ministria e Shëndetësisë u dha dritën e gjelbër klubeve të Superligës për t’i rifilluar stërvitjet dhe Federatës së Futbollit të Kosovës për ta rifilluar sezonin në qershor. Lojtari nuk ka shfaqur simptoma, sipas njoftimit të klubit.