Kryeministri Haradinaj: Gjermania sot mori një vendim të madh për Kosovën, tani më afër se kurrë

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se Gjermania sot ka marrë një vendim të madh për raportet në mes të dy shteteve, dhe sipas tij, tani vendi ynë dhe ai gjerman do të jenë më afër se asnjëherë më parë.

Haradinaj ka njoftuar se qeveria gjermane ka hequr Kosovën nga Lista e Shteteve për Verifikim të Sigurisë. “Nga sot, Kosova dhe Gjermania janë më afër se asnjëherë më parë! Vendimi që Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë nga 24 Janari i vitit 2020 ka hequr Republikën e Kosovës nga Lista e Shteteve për Verifikimin e Sigurisë të njohur ndryshe edhe si SÜG (Sicherheitsüberprüfungsgesetz) është një lajm i mrekullueshëm dhe i rëndësisë së veçantë për Kosovën, Gjermaninë dhe shtetasit e dy vendeve.

Ky vendim hap një kapitull të ri të marrëdhënieve bilaterale mes vendeve tona mike, dhe thellon raportet tona ndërshtetërore.Faleminderit Qeverisë gjermane, organeve të sigurisë dhe Kancelares Merkel!, ka shkruar Haradinaj në Facebook, duke postuar edhe dokumentin.