Me maskë dhe pa pranga në duar, Fjolla Morina del para gjykatës

Këngëtarja e njohur shqiptare, Fjolla Morina, është paraqitur të martën para Gjykatës së Kukësit. Me maskë në fytyrë dhe pa pranga në duar, ajo është shoqëruar nga policët bashkë me dy shtetasit e tjerë të Kosovës, për në gjykatë.

Mbi të rëndon akuza “Trafikim i armëve dhe i municionit”, për shkak se të shtunën ajo u arrestua nga Policia e Kukësit, pasi në kalim të kufirit Kosovë-Shqipëri, asaj iu gjet armë zjarri me 23 fishekë luftarakë në veturën e saj të tipit “Audi”.

Fjolla u arrestua bashkë me shoferin Fitim Muji dhe biznesmenin 29-vjeçar Fisnik Syla. Pas qëndrimit në paraburgim në Kukës, ajo u dërgua në Spital ku thuhet se pas ekzaminimit rezultoi shtatzënë.

Fjolla në deklarimin e saj në Policinë e Shtetit ka pranuar autorësinë e armëve, ndërsa është shprehur se i kishte harruar në çantë. Gjatë marrjes në pyetje, ajo kishte treguar se një prej armëve ia ka bërë dhuratë një mik i saj nga Gjermania, i cili nuk jeton më. Sot (e martë), këngëtarja Morina pritet që të përgjigjet para gjykatës lidhur me akuzat që rëndojnë mbi të.