NATO i bën thirrje Rusisë të ndalojë përgatitjet për luftë

-

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri thirrje Rusisë që të tërheqë trupat nga kufirin me Ukrainën dhe të punojë për zgjidhjen e krizës në mënyrë paqësore.

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Stoltenberg tha se deri më tani nuk kanë parë sinjale që mbështesin pretendimet e Moskës se ka filluar tërheqjen e trupave pranë Ukrainës, por sipas tij, po ndodhë e kundërta.

“Ne i bëjmë thirrje Moskës që të bëjë atë që po thotë se po bën, të tërheqë trupat nga kufijtë e Ukrainës. Ky do të ishte një hap i parë i rëndësishëm drejt një zgjidhjeje paqësore. Nuk është vonë për Rusinë që ta ndryshojë kursin, të tërhiqet, të ndalojë përgatitjet për luftë dhe të fillojë që të punojë për një zgjidhje paqësore”, tha Stoltenberg.

Ai tha se grumbullimi ushtarak në dhe përreth Ukrainës është më i madh që prej Luftës së Ftohtë.

Perëndimi thotë se Rusia ka grumbulluar mbi 150,000 trupa përgjatë kufirit me Ukrainën dhe se Moska po përgatitet që ta pushtojë Ukrainën, por Kremlini hedh poshtë këto pretendime, duke thënë se nuk ka plane të tilla.

Moska ka pretenduar se ka nisur tërheqjen e trupave nga kufirin me Ukrainën, por NATO dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk kanë parë sinjale të tilla.

“Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, por rreziku për konflikt është real. Aleatët e NATO-s po vazhdojnë përpjekjet e tyre të fuqishme diplomatike për të gjetur një zgjidhje politike”, tha Stoltenberg.

Një ditë më parë presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se është i “bindur” se presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendimin që ta pushtojë Ukrainën.

Stoltenberg tha se i ka dërguar ftesë ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov që të takohet së bashku me NATO-n dhe aleatët e saj në kuadër të Këshillit NATO-Rusi, teksa shtoi se aleanca ushtarake po vazhdon përpjekjet diplomatike për të gjetur një zgjidhje politike.

Duke folur për kërkesat e sigurisë të prezantuara nga Rusia, Stoltenberg tha se Moska e di që disa kërkesa nuk mund të realizohen.

“Rreziku tani është kombinimi i këtij grumbullimi masiv ushtarak me retorikën kërcënuese, duke vendosur përpara kërkesa që ata e dinë se ne nuk mund t’i plotësojmë e duke thënë: ‘Nëse ju nuk i plotësoni këto kërkesa, do të ketë pasoja ushtarake’”, tha Stoltenberg.

“Kjo është normalja e re, ku kemi Rusinë që haptazi konteston vlerat thelbësore për sigurinë evropiane dhe më pas tregon vullnetin për të përdorur forcën ose kërcënon se do të përdorë forcë për të marrë atë që do“, tha ai.

Rusia ka kërkuar që NATO të mos e pranojë kurrë Ukrainën dhe që aleanca të tërhiqet nga Evropa Lindore dhe Qendrore. Stoltenberg vuri në pah se për herë të parë, Kina i është bashkuar Rusisë në thirrjet ndaj aleancës ushtarake që të mos pranojë anëtarë të rinj.

Ndërkaq, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjatë panelit në Mynih tha se Rusia rrezikon që të humbë prosperitet nëse e pushton Ukrainën, duke u zotuar se do të ketë një pako të sanksioneve ekonomike dhe financiare ndaj Moskës në rast të ndonjë agresioni.

Ajo tha se Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndalojë furnizimet me gazin rus.

“Mund të them se në rast të ndalesës me furnizimet me gaz nga Rusia, ne do të jemi të sigurt gjatë këtij dimri”, tha ajo.

Von der Leyen e akuzoi gjigantin rus të gazit, Gazprom se “qëllimshëm po tenton të dërgojë sa më pak furnizime, ndërkaq çmimet dhe kërkesat janë të mëdha”.

Në Konferencën e Sigurisë të Mynihut do të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy. Po ashtu, kësaj konference do t’i adresohet edhe nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, e cila pritet ta paralajmërojë Rusinë se në rast të një pushimi, do të rritet prezenca e NATO-s si dhe Moska do të ketë pasoja të mëdha financiare, tha një zyrtar i administratës amerikane, që foli me gazetarët në kushte anonimiteti.

Por, ky zyrtar i administratës tha se Harris do të përçojë mesazhin se Uashingtoni është i hapur për diplomaci “qoftë edhe në këto momente të fundit”.

Follow us in Facebook,Instagram

113,363FansLike
887FollowersFollow

Postimet e fundit