SBASHK-u refuzon versionin e ri të Ligjit për Paga

-

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka njoftuar se do ta refuzojë versionin e ri të Ligjit për Paga, të punuar nga Qeveria Kurti. Në një shkrim për mediat, kreu i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, ka thënë se tashmë SBASHK-u po përgatitet për veprime sindikale.

Ai ka thënë se sindikatave u ishte dhënë premtimi se do të jenë të kyçura në punën e komisionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për punimin e Ligjit të Pagave, megjithatë, sipas tij, ato ishin ftuar në cilësinë e spektatorit. Ai ka thënë se versioni i ri ka raport të koeficienteve një me njëzet, dhe se ligji parasheh që pagat e larta të jenë për njerëzit e mëdhenj të shtetit, ndërsa koeficientet e ulët për të tjerët.

“Ky version i ri është tepër i keq dhe SBASHK-u nuk do ta pranojë dhe po përgatitet për veprime sindikale, që nuk janë edhe të panjohura nga e kaluara e pikërisht për shkak të pakënaqësive të arsyeshme po për këtë ligj. Versioni i Ministrit Sveçla po thotë se raporti i koeficienteve është 1 me 20 (një me njëzet), që është dyfishi nga ligji i kaluar i pagave, që Kushtetuesja e ktheu në pikën zero. Ky 20 është për pagën e presidentes, koeficienti 19 për pagën e kryeministrit dhe kryeparlamentarit e pastaj koeficientët tjerë për do njerëz të tjerë të mëdhenj të shtetit, kurse koeficientët nga 2 e pak më lartë për të tjerët”, ka thënë ai. Burimi Kohanet

“SBASHK është duke e analizuar versionin e Ligjit të pagave përgatitur nga Grupi i Ministrit Sveçla dhe vërejtjet e bashkë me kërkesat e mbështetura me argumente do ia prezantojë ministres Nagavci dhe ministrit Sveçla në takimet me ta e po ashtu do t’i debatojë edhe në takimin e të së dielës të Këshillit Drejtues dhe të kryetarëve të nivelit komunalë sindikalë e të Universiteteve dhe do të marrë vendime meritore duke u bazuar në realitetin se Qeveria Kurti çdo ditë sikur shton nga një arsye për protesta e greva”, ka vazhduar ai.

Jasharaj ka thënë se të dielën do të mbahet një takim i Këshillit Drejtues i SBASHK-ut dhe do të dilet me qëndrim publik. Është ankuar në Qeverinë Kurti se s’ka bërë lëvizje në paga edhe pse është lavdëruar për ngritje ekonomike.

Në qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese pati rrëzuar Ligjin për Paga nga koha e Qeverisë Haradinaj. Sipas vendimit, ligji s’ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Drafti nga grupi punues brenda MPB-së tashmë është dërguar për komente tek palët. Qeveria Kurti pritet ta çojë në Kuvend Ligjin për Paga në muajin mars.

Follow us in Facebook,Instagram

113,363FansLike
887FollowersFollow

Postimet e fundit