Skandali i vjedhjes së dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit, deklarohet Limaj: S’e njoh Shalën

Nisma Socialdemokrate është distancuar nga anëtari Kadri Shala, për të cilin raportohet se është njëri nga biznesmenët në të cilin kanë shkuar dy milionë euro nga Thesari i Shtetit.

Kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj ka thënë se të dyshuarin për vjedhjen e parava nga Thesari i Shtetit nuk e njeh, derisa ka ftuar sistemin e drejtësisë të hetoj thellë këtë rast. “Nuk dimë më shumë se aq që u tha në konferencë për medie. Presim hetimet. Ajo çka mund të them është se hetimi duhet të jetë i thellë. Për këtë, besoj që shpejt do të dalin në pah organet e rendit. Identifikimi që është në një parti është tendencioz. Nuk e di kush është dhe kushdo që është duhet të përgjigjet para ligjit. Me tentu me ia mvesh kësaj partie ose partisë tjetër, është për t’i ikur kësaj teme”, ka thënë Limaj në Rubikon.

Edhe sekretari i Nisma-s, Bilal Shefiri ka thënë se kjo parti distancohet nga i dyshuari Kadri Shala./botasot