Skënder Hyseni tregon se a e ka bllokuar Asociacioni dialogun me Serbinë

Skënder Hyseni tregon se a e ka bllokuar Asociacioni dialogun me Serbinë. Asociacioni i komunave që në takimin e fundit Kosovë-Serbi ishte temë përplasjesh e palëve, sipas mediave serbe e ka bllokuar dialogun e ndërmjetësuar nga BE’ja duke anuluar takimin e 28 shtatorit. Për këto raportime ka folur koordinatori për dialog, Skënder Hyseni.

Zëdhënësi i BE’së, Peter Stano sot ka konfirmuar se së shpejti do të publikohen datat e takimeve Kosovë-Serbi në Bruksel. Megjithatë, mediat serbe raportojnë se Prishtina dhe Beogradi nuk do të ulen në tavolinë të dialogut, pas refuzimit të Kosovës që të dialogohet edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Express për këtë çështje ka kontaktuar koordinatorin e Kosovës në dialog, Skënder Hysenin, që në takimin e fundit me Serbinë në Bruksel ka deklaruar se ishte përplasur me palën serbe për shkak se ata po insistonin që asociacioni të jetë temë e diskutimit.

Hyseni ka deklaruar se qëndrimin e vendit sa i përket diskutimit për Asociacionin e ka treguar të enjten e kaluar në Bruksel. Rrjedhimisht, ai nuk ka treguar nëse është anuluar takimi i 28 shtatorit, duke thënë se nuk i komenton shkrimet e mediave serbe. Çështja e asociacionit ka ngritur reagime edhe në vend. Opozita dhe presidenti Hashim Thaçi kanë deklaruar se një temë e tillë nuk duhet të diskutohet me Serbinë.