Ushtria e Ibrahim Rugovës të gatshëm e më të fortë se kurrë për qeverisje

Tanimë veç se dihet se LDK-ja do të jetë e vetme në listën zgjedhore më 6 tetor, të prirë me kandidaten Vjosa Osmani, që hynë në histori si kandidatja e parë femër për kryeministre të Kosovës.

Shkruan: Drilon Rrahmani-Vjosa Osmani njihet si ndër të paktët persona brenda LDK-së që ka përcjellë frymën dhe politikat e presidentin historik, Ibrahim Rugova, i cili në asnjë mënyrë nuk donte ta kishte në qeverisje PDK-në e Hashim Thaçit.Rugova, për Thaçin thoshte se ardhja e tij në pushtet, është e rrezikshme për Kosovën, ndërsa vetëm Vjosa Osmani ishte ajo nga LDK-ja që nuk e dha votën e saj që Hashim Thaçi të bëhej president, përkundër vullnetit të partisë së saj. Në këtë mënyrë, Vjosa Osmani po tregon që sadopak mund të na i sjellë politikat e drejta, të sinqerta dhe në të mirë të Kosovës, ashtu siç bëri presidenti historik Ibrahim Rugova.Përveç Vjosës si lidere në listën e LDK-së, kjo parti ka kuadro mjaft të duhura për ta udhëhequr qeverisjen e ardhshme me LDK-në. Figura si Kujtim Shala, Driton Selmanaj, Lumir Abdixhiku, Anton Quni, Arben Gashi, Arban Abrashi, Avdullah Hoti, Fidan Rekaliu, Besa Gaxherri, etj, që janë të pastër në çdo aspekt sa i përket një politikani, me dijen dhe aftësinë e tyre mund ta dërgojnë Kosovën drejt hapave para në rrugën euroatlantike si dhe për përmirësimin direkt të jetës së qytetarit.

Mirëpo, brenda listës së LDK-së ka persona që kanë një aferë dashurie të moçme me Partinë Demokratike të Kosovës, por ata do të mbeten nën hije nga garda e re e LDK-së, për të cilën populli ka shpresa të mëdha se mund ta nxjerrin vendin nga kriza që e kanë sjellë politikat dhe pushtetaret tash e dy dekada.Që nga vdekja e Ibrahim Rugovës dhe kuvendit të “fashmëm” me karriga, LDK-ja këtë vit është konsoliduar dhe për herë të parë që nga ajo kohë po është parti serioze në zgjedhje, që garon për vend të parë. Politikat e mbrashta të atyre që e sollën LDK-në si parti e dytë dhe e tretë deri në këtë kohë, duhet që elektorati besnik i LDK-së t’i dënojë me votë.

Fitorja e LDK-së do të jetë e madhe, pasi në ekzekutivin e qeverisë do të jenë emra të rinjë, të aftë për të udhëhequr si dhe për herë të parë do të kemi një kryeministre femër, që ka dëshmuar se është kundër interesave dashakeqe për Kosovën, si dhe kryeministre që do ta ketë përkrahjen e Bashkimit Evropian.