Vjosa Osmani, kryeministrja e ardhshme e Kosovës, e duhura për rrethanat aktuale

Në sondazhe të dy marrin vota të shumta. Pavarësisht se u mendua se do të kishin një koalicion parazgjedhor, LDK dhe Vetëvendosje do të shkojnë të ndara në zgjedhje, me dy kandidatë për kryeministër, që do jenë në garë mes vete.E derisa nga Vetëvendosje do kandidat për kryeministër është Albin Kurti, LDK vendosi që për këtë post ta kandidojë Vjosa Osmanin.Për të dy do të vendosin qytetarët e Kosovës me votat e tyre në zgjedhjet e 6 tetori, por çfarë mendojnë analistët, kush është i duhuri?Njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se LDK dhe VV në opozitë kanë pasur rastin të reflektojnë për të mirën e vendit dhe duket se LDK është këndellur e po ashtu VV ka evoluar nga ekstremizmi i saj majtist.

Zogaj: Posti i kryeministrit për LDK-në, i zv/kryeministrit për VV-në-“LDK-ja dhe VV në opozitë i kanë shpërlarë tekat dhe kanë pasur rastin të reflektojnë arsyeshmëri politike në të mirën e vendit që viteve të fundit u kaplua nga kriza e thellë politike e institucionale! Po mendoj se LDK-ja mbajti me shumë vetëmohim qëndresën partiake rugoviane të atakuar fuqishëm nga eksponentët e ndryshëm dhe, siç po shihet është këndellur mirë. Edhe VV-ja siç po shihet ka evoluar nga ekstremizmi i saj majtist dhe, po tregon një seriozitet më të këndellur për realizimin e aspiratës reale kombëtare e shtetërore, kështu që, mund të llogaritet partner për bashkëqeverisje edhe me LDK-në, pavarësisht nga divergjencat e mëdha programore që i kanë”, është shprehur Zogaj.Sipas tij, LDK-së i takon posti i kryeministrit ku në këtë pozitë do të jetë Vjosa Osmani, ndërsa Vetëvendosje duhet ta gëzojë postin e zv/ kryeministrit.“Zhvillimet e fundit kanë krijuar përafrim të madh të pikëpamjes bashkëvepruese ndërmjet LDK dhe VV, dhe tashmë nuk ka dyshim se do ketë koalicion parazgjedhur. Kushtet e këtij koalicioni nuk janë shumë të rëndësishme, por apriori e kërkon rendi që LDK të jetë partia e parë dhe ta ketë kryeministrin, ndërsa VV të gëzojë postin e zv/kryeministrit dhe ministri të rëndësisë së veçantë! Marrëveshja mendoj se do të bëhet dhe, gjasat janë që Vjosa Osmani të jetë kryeministresha e Kosovës, e duhura e rrethanave në të cilat jemi”, ka deklaruar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Shahu: Zgjedh Vjosën duke besuar se është e lirë nga prangat e padukshme serbe-Ndërsa, ish gazetari dhe publicisti Rexhep Shahu zgjedh Vjosën në mes saj dhe Albinit, derisa thotë se ajo nuk është peng në Serbi, nuk do ta lejojë Serbinë të udhëheq në Kosovë dhe është grua.“Unë dëshiroj që koalicionet të bëhen pas zgjedhjeve. Nëse duhet të zgjedh mes Vjosës e Albinit, zgjedh Vjosën duke besuar se është e lirë nga prangat e padukshme serbe, nuk është peng në Serbi, dhe nuk lejon Serbinë të udhëheqë në Kosovë me nëntokën serbe. Besoj se do ta bëjë të barabartë Kosovën me Serbinë dhe jo koloni politike serbe. Jam për Vjosën se është grua, nënë dhe Kosova është kjo që është në radhë të parë falë nënës shqiptare të Kosovës. Me shumë se ka dhënë nëna shqiptare për lirinë e Kosovën nuk ka dhënë askush”, ka vlerësuar Shahu.Ai tregon dhe arsyet pse nuk është për Albin Kurtin.“Nuk jam për Albinin sepse ai i mban në xhep e në gji dhe i përdor kur duhen më duket mua ekstremistët islamike. Druaj se Albinin nuk e shqetësojnë xhamitë që mbijnë si kërpudha dhe shqiptarët që shkojnë të bëjnë lufta të shenjta. Nuk kam lexuar as dëgjuar që Albini të jetë kundër ekstremizmit fetar dhe druaj se Albini miklohet nga idetë revolucionare marksiste leniniste. Këto mund të mos qëndrojnë por këtë perceptim me ka krijuar Albini. Në Bosnjë shkoi nderoi viktimat e Srebenicës e doli në foto, në Kukës erdhi por nuk nderoi asnjë njeri as të Kulla e mikpritjes as të varret e Kosovës në Kukës”, ka thënë Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Krasniqi: Postimi i kryeministrit për partinë që del e para-Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, vlerëson se posti i kryeministrit i takon partisë që del e para, duke shtuar se gara mes LDK-së e VV-së do të jetë shumë e ngushtë, e sipas tij që PAN-in ta dërgojnë në opozita, këto dy parti do të duhej të bënin koalicion parazgjedhor.“Ajo parti dhe ai kandidat që del i pari edhe i takon posti i kryeministrit. Gara mes LDK-së dhe LVV për vendin e parë do të jetë një garë shumë e fortë. Edhe njëra edhe tjetra parti mund të dalë e para. Do të jetë një garë shumë e ngushtë. Do të ishte mirë që këto dy parti të bëjnë koalicion parazgjedhor, në mënyrën që të fitojnë shumicën, dhe PAN-in ta dërgojnë njëherë e përgjithmonë në opozitë. Kurse për çështjen e kryeministrit të merren vesh. Kandidati që fiton më shumë vota, t’i takojë posti i kryeministrit”, ka vlerësuar Krasniqi.Ai thotë se për shumë procese, Albin Kurti është i duhuri, e për shumë të tjera Vjosa Osmani, por për ta do të vendos sovrani.“Për hir të Kosovës dhe qytetarëve të saj, duhet lënë anash se kush do të bëhet kryeministër, sepse Kosova është në gjendje shumë të rëndë. Vendi dita-ditës po zbrazet. Për shumë gjëra dhe procese Albin Kurti do të ishte më i duhuri, por për shumë gjëra të tjera edhe Vjosa Osmani. Por për këtë vendos sovrani se cili është më i duhuri. Konsideroj se binomi Osmani-Kurti do të arrinin gjëra të mrekullueshme bashkë. Gjithçka mbetet për t’u parë. Nëse edhe këta dy njerëz na zhgënjejnë, atëherë lirisht mund të themi që këtij vendi t’ia vëmëdryrin”, ka deklaruar Faik Krasniqi për “Bota sot”.Burjani: Kosova ka nevojë për një kryeministër nga fusha e ekonomisë-Kurse, juristi Blerim Burjani thotë se asnjëri nuk do të jetë kryeministër dhe se formula qeverisëse pas zgjedhor do të jetë plotësisht ndryshe.

“Asnjëri nuk do të jetë kryeministër, formula qeverisëse pas zgjedhore do të jetë ndryshe plotësisht. Mendoj se LDK me përcaktimin e Vjosës për postin e kryeministres ka legalizuar PDK dhe Kadri Veselin për kryeministër, VV do të përjashtohet nga formula e qeverisjes me shtet dhe do të mbetet prapë opozitë. Është e qartë se ka marketing të madh për LDK dhe VV që të hyjnënë koalicion por kjo nuk ka të bëjë me realitetin përfundimtar, nuk është çështja e interesave të LDK dhe VV. LDK zgjodhi problemin e brendshëm që Vjosa të propozohet për postin e kryeministrit por në opinion publik jashtë LDK Vjosa nuk ka paraqet asgjë apo paraqet vetëm figurë të LDK-së, pra ka një mashtrim të vetes në LDK me këtë përcaktim”, është shprehur ai.Sipas Burjanit, Kosova ka nevojë për një kryeministër që vjen nga fusha e ekonomisë.“Më mirë do të ishte një ekspert të ekonomisë në LDK se Kosova ka probleme me ikjen e të rinjve papunësinë, mos zhvillimin ekonomik pra komponenta ekonomike duhej të ishte vendimtare, sidoqoftë LDK u pajtua brenda disi. VVnuk ka kuadër për të bërë politikë ekonomike as mikro e as makro ekonomike e as për të zbutur papunësinë por vetëm për të harxhuar apo shpenzuar buxhetin në skema sociale, pra s’ka asgjë prej kësaj teme, më së keqi është Kosova s’ka alternativë politike e as alternativë për të zgjidhur probleme ekonomike. Kosova ka nevojë për kryeministër që vjen nga fusha e ekonomisë, me ekip profesional adekuat, mos të harrojmë se vetëm 400 mijë votues mund të dalin në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.